15 shkurt 2009

Poezi nga Keze (Kozeta) Zylo

www.gezimajgeraj.blog.com
www.metaforapoetike.de.vu


Nga Keze (Kozeta) Zylo


Buzëmjalta dashuri‏


Mirëmëngjes dashuri

Mirëmëngjes dashuri,
Që me ngjyra të ylberta,
Më ndjell pranë buzëve të tua,
Aty ku përulen gjithë Perënditë!
Ofshamat e shpirtit tënd,
Si ca tinguj dekadence,
Do të lëngëzojnë frymën,
Per të lagur mollën e përflakur,
Që s’ka afat skadence!


Puthjen që më dhe mbrëmë


Puthjen që më dhe mbrëmë,
Me fjalët e tua si i marrë,
I shkula prej gjoksit tënd,
Dhe si notë muzike,
Mbetën në pentagram.

Puthjen që më dhe mbrëmë,
Thellë shpirtit e çlirove,
Trete mall e fshive hije,
Strukur në zjarr djalërie!

Puthjen që më dhe mbrëmë!…


Cipa e shpirtit

Më prekin cipën e shpirtit të ëmblat fjalë,
Dhe timbri i zërit më vjen butësisht tani,
Dridhet zemra ime nëpër fantazi,
Për puthjen e zjarrtë mbetur tek ti!

Unë po shkoj të fle nën kupën e qiellit,
Dhe yjet do më lajnë me lotin e florinjtë,
Do të gdhihem me mëngjesin e artë të diellit,
Një ylber me ëndrra mbi shtrat do jenë shtrirë!


Në lëndinat e prillit

Në lëndinat e prillit,
Lule sapoçelurat,
M’i morën mend,
Ëndrrat e mia të ylberta,
Fërgëlloheshin,
Në zjarrminë e trupit tënd!



Mbështillmë me frymën tënde!


Mbështillmë i dashuri im, mbështillmë,
Me frymën tënde në natën me hënë,
Si dikur.
Kur portën me qemer e linim hapur,
Për të ardhur xixëllonjat!
Nuk e di seç m’u trazuan kujtimet sonte,
Ndoshta nga zëri i shiut,
Që si një iso e lehtë labe,
Më vjen ëmbëlsisht në shpirtin tim!
Në këtë mugëtirë vere,
Zgjas dorën tek dritarja,
Dhe hap paksa kanatën e saj,
Ca pikla të virgjëra shiu,
Lagin petalet e trëndafilta,
Që si akuarel i lëvizshëm,
Vallëzojnë brenda saj!
Zgjohu i dashuri im zgjohu,
Eja pushtomë me frymën tënde,
Unë sërish jam mes ëndrrash,
E në vegimet e erotizmit,
Më çmende!


PEMA BESNIKE

Gjurmët e puthjes pema jone i ka ruajtur
Te freskëta, të pastra, fshehur nën rrënjë
Thonë se kjo pemë ka shekuj që ndodhet
Si dashuria jonë, lisi i pangrënë.

Të gjitha gjethet, tinguj fëshfërime lëshonin
Marroseshin dhe ato nga dashuria jonë
Bashkohej bilbili me zërin e tij,
I dehur i teri nga puthja aromë.

Cdo vit tek pema, nën zbehtësinë e hënës
Rreth trungut loznim syllambyzi përherë
Sekretet na i ruante me romancën tonë
Si blerim dashurie, kthyer në pranverë.

Një furtunë e madhe pemën e rrëzoi
Rrëzoi gjithcka…dru e shtëpia
Po rrënjën me sekretin, dot s’e shkuli
Priste puthjen tonë, nëntë vjet nga uria.


BUZËMJALTA DASHURI

Buzë mjalta dashuri,
E dehur mbeta puthjeve të tua,
Si një lule më vesit agut tënd,
E aromën përhap lëndinave të zjarrta,
Nektarin e dashurisë pimë valëve të trupit,
E në ishujt e pashkelur,
Bëhemi Zot për atë vend!

New York, 14 Shkurt, 2009

Nuk ka komente:

Posto një koment