14 shkurt 2009

Nga libri:Lulëkuqet e Vërrinit

Gëzim Ajgeraj

www.gezimajgeraj.blog.com
www.metaforapoetike.de.vu


MONOLOG LULËKUQESH

Në jehonë malesh
shpalos shushimën e plagëve
që mbërthejnë

nëpër rrapëllimën e hapave tona
dridhen malet
bjeshka nxjerr shkëlqim
guri tym
flakë digjet
dheu
lulet
Kosova...
2.
Në heshtjen
e netëve tona pa gjumë
dëgjojeni klithmën e atdheut
plagët kah ia mëkojmë
për shpresat e bardha
3.
Hapave tona
rrapëllojnë dhembjet
ndrydhet zemërimi kohëligës
terrnatës
me korbin përmbi
4.
Heu Kosovë
zgjuar na kanë malet
kodrat oshëtijnë
krismave tona
5.
Me nga një pushkë krahut
emblemën mbi vetull
ia marrim këngën e lirisë
6.
Po të vijmë lulëkuqe në flamur
pëllumba të bardhë
në qiellin e bardhë
yje përjetësie
në lapidarët e atdheut
7.
Le t'u flasin dhembjet
buzëqeshjeve tona
t'i shëndrijnë lirisë

8.
Me shkëlqimin tonë
amanetin ndriçoni
sa herë bën furtunë
e turren karpatet
sa herë nxihet qielli
e harbojnë korbat
e gjarpëri i zi
harbon me zjarr
frengjin, syrin pishë
dhe veriun
kujdes

Malësi e Vërrinit, 1999

KRYETRIMI I LEGJENDËS

( Adem Jasharit)

Diku kërciste një pushkë
e s`pushonte një këngë
atdheu kërkonte krushq
Kosova lëshonte gjëmë.


Nga zemra e tokës buroi
kushtrimi i krismave për liri
malet e Drenicës jehuan
nga krismat e kënga e tij.


Dhe krisma prej kullave vazhdoi
maleve e fushave për liri
kryetrimi i legjendës flijoi
pishtar u bë për liri.

21 shkurt 1999

MILITANTI

(Remzi Ademaj - Petriti)

Mbrëmë gjithë natën i rrethuar me mallin
nëpër lirikë gjakonte Militanti i ri
nëpër rreshta rridhnin thirrjet nga zëri i tij
pushka që kishte etje për liri
gjatë e rrahu llafin për Vërrinin, Kukësin
Drenicë e Junik
gjerë e gjatë i ra Kosovës në çdo pikë
diku mes vetullave ndrydhej zemërimi i tij
pushka, besa, fjala, kullonte etje për liri
nëpër rimat e lirikës deri në agun e ri
një det me pelin ra përmbi
Dikur i kënduam edhe një këngë Kosovës
Adem Jasharit i bëmë edhe poezi
E diku në Qafë të Zhurit
një lumë lotësh u shkri
afër meje ai s'ishte më me trup e me zë
Vargut militonte thirrja e tij
qëndresa e paepur
mjaft më këtu
andej nga Kosova
Ejani ta marrim pushkën lumjançe
E iku, e iku, e iku me hijen e tij.

24 gusht 1998
EJANI NË LEGJENDË

Nëpër vijat e mallit
i vizatova udhët e dritës
grushtit ku skuqej liria
tonat ishin rrugët sheshet, qytetet
errësira, udhët, vetmia
jona ishte robëria

Orët e historisë rrodhën padurimit
të dhimbshmet, të kuqet
për ikjet e zeza për ardhjet e bardha
ngritjen gjatë e prita mërgimit

Mjaft më udhëve të mallit në çdo pikë
të gjithë së bashku
me kushtrimin e Drenicës
zgjohuni ju o të robëruar
me vrullin e shekullit të ri
plisbardhët të mirët e mi

Apokalipsit i duhet paguar fajësia
Kosovës i duhet dritë e ardhmërisë
t'i bashkojmë krismat
për ditët e bardha që po vijnë
urtakët të shtypurit e mi
ejani në legjendë
Ejani, ejani, ejani....

Shtator 1998, 2000


TRIBUNI I VËRRINIT

(Selajdin Berishës)

Nis e dridhen malet se deshi liria
fërshëllejnë pushkëgjatat e ngritet trimëria
nis kënga kreshnike e shkruhet legjenda
tri shkronja mbi ballë një vullkan nga zemra
merr forcë atdheu rilind Dardania
nis e flasin shkrepat e skuqet trimëria
këmishë e kuqe pajë e lirisë
flamur maje bjeshke simbol i trimërisë
kushtrim i atdheut rrënjë e lirisë
për agun e ri këngë e Dardanisë
lapidar drite rreze ardhmërisë.

Shtator 1998





FJALA E DHËNË
(Bekim Berishës)

Ra heroikisht më 1 shtator 1998 në Lez
Derisa po nisej në vijën e frontit, ushtari i UÇK-së, Bekim Berisha, nënës i tha:
Nënë: Pa kaluar tanket e shkaut mbi trupin tim
nuk do të hyjnë në Lez!

Me lamtumirën në gojë
e me pushkën krahut
iu bashkua legjendës
me bacë Salën
Xhevatin, Shefqetin, Nehatin
Hasimin e Alajdinin
Shahadinin, Naipin, Ibrahimin
Kosovës ia mbajtën fjalën
Besën nënës
Bekimi i atdheut.

Shtator 1998

AH, SIKUR TË ISHTE SOT
XHEVAT BERISHA ME SHOKË!!!

1.
Ah, sikur të ishte sot bre
Xhevat Berisha me shokë
e t'i gëzonim këto ditë të bardha në Vërri

Odave të bardha plot dritë
të mbushura me rrezet e lirisë
e telin t`ia këputnim çiftelisë
gëzimin ta derdhnim në kupë të qiellit

Me plakun plisbardhë
ta luanim vallen e lirisë
kah mbushëllojnë bjeshkët në tupan

Natën ta bënim ditë
deri në rrezen e parë
të agut të ri

2.
Xhevat vëlla
nuk e di si do t'i shkrinim
kujtimet e netëve të gjata
për Kosovën e lirë

Në Dukagjin e Drenicë
në Kukës e Vërri
nga një flamur ta flatronim

Dhe sa herë bajlozi
t`ia ndalte flatrimin
me hovin e Gjergj Elez Alisë
t'ia shpaguanim zemërimin

3.
Dhe po të ishe sot
cicërimës së vogëlushëve
me abetare në dorë

shkollën e re do ta gëzonim
filiza e pipa të ri
plot do t'i çelnin Kosovës
sa mirë do t'i rreshtonim
brezat e lirisë

4.
Dhe po të ishe sot bre
Xhevat Berisha me shokë
nënave tona do t'u thoshim
misërniken e lirisë të na pjekin
në çerep, me saçin e bakrit te votra

e ujë nga krojet e bardha të
Vërrinit të pimë
dhe gjakut tonë t'i japim vrull
në damarë, me vrullin e lirisë

dhe me zemër kreshnikësh
kaçakçe bjeshkës përmbi t'i rrimë

kullat do të mbushëllonin oshëtimë
dhe forcë do t'u jepnin
ushtarëve të lirisë

5.
Dhe po të ishe sot
kur ende na bën furtunë
atdheut, e përreth

me bacë Salën e gjoksin sa bjeshka
furtunë karpatesh
s`do të frynte më në këto anë

Me shokët e tu
barbarit do t'ia paguanim të gjitha

6.
Dhe sot kur i drejtohem lapidarit
më mungon shumë
edhe dëshmitari i kohës
që t'i mësoja të gjitha
ngjarjet e legjendës

Dhe ti me buzëqeshjen tënde
më thua se i di të gjitha
unë druhem nga ajo

7.
Dhe sot kur ma prekin Kosovën
këmishën e kuqe të saj
e m'i bëjnë prita lirisë
me vete them:
Ah, sikur të ishe sot
Xhevat Berisha me shokë!!!

Atëherë mbushem vrer
e rrebelohem

E kërkoj fillin
e këtij lëmshi

E i them vetes
ruajna zot nga mallkimi i gjakut
të paktën shpëto Kosovën

8.
Dhe sot jam mbushur
më shumë se kurrë
pa ty dhe shokët e tu:
Salën, Shefqetin, Hasimin, Alajdinin,
Bekimin, Shahadinin, Ibrahimin,
Nehatin e Naipin
dy pleqtë: Asllanin e Izeirin

9.
Dhe po të ishe sot bre
Xhevat Berisha me shokë
pushkën do ta linim në frengji
me grykë, kah veriu

e t'i mprehnim pendat
e t'i shkruanim lirika atdheut
nga molla e kuqe
e deri në Çamëri.

7,8 maj 2001
Pishtarët e lirisë

(Dëshmorëve të kombit që ranë heroikisht në betejën e
1 shtatorit 1998 në fshatin Lez të Prizrenit: Selajdin Berisha,
Xhevat Berisha, Shefqet Berisha, Asim Berisha, Alajdin Berisha,
Bekim Berisha, Shahadin Berisha, Naip Berisha, Nehat Berisha,
Ibrahim Osmani dhe dy pleqtë, Izair Berisha e Asllan Berisha).

1.
Atëherë kur nata bëhej korb e dita lot
gjithçka ndrydhej në heshtje
mortja na kërkonte harrimin

dhe vrulli ndrydhej përpjekjes për pak dritë
nën qiellin plot re të zeza e hijerënda
që shkarkohej dheut

A nuk skuqej pranvera lulëkuqeve
lulet e saj që i shkëpuste stina
sythet që piponin degëve

dhe lulëkuqet shtoheshin stinëve të përpjekjes
se rrënjët i kishin në gjak
shikimin kah dielli
në rrezen e parë të atdheut!?

2.
Atëherë kur këmbanat e vdekjes s`pushonin
e durimi mbyllej arkivoleve
nga pabesitë e prapashpinës

ju thyet akujt e dimrave plot acar

dhe kur pritjes iu mbyllën udhët
ju vërshuat me vrullin e lumenjve të Vërrinit
hapët shtigje të reja drite
me shkëlqimin e rrezes së pranverës

cila ishte ajo kohë ora e pritjes?!
3.
Dhe dashuria doli në dritë me kushtrimin
malet u veshën blerim
që me agun e pranverës

Zogu i Kosovës e nisi këngën
për ardhjet e bardha që do të vijnë
me rrugën e nisur

Dhe gjithçka nisi fshehtësi
me allkat e para të zinxhirit
që do ta lidhin armikun

Njësitet e nisën marshin maleve të lirisë
atëherë kullat u mbushën dritë në shpresat e bardha

Malësori hapi portat dhe zemrat
Nënat gatuan bukën e ushtarëve të lirisë.

4.
Me ju malet morën këngën
lisat u veshën në blerim
e bilbili ia tha këngës
për ditët e bardha që marshonin përpara
që të ketë kuptimësi jeta
që bisha më
të mos ketë mesjeta
nëpër ardhjet e bardha

se s`deshët fole pa atdhe
tokë të nëpërkëmbur e shpirt të nëpërdhëmbë

5.
Dhe barbarin e pushtuan ethet
lisat u bënë hije, e hijet gryka
ballit të veriut të zi

Satani s`njeh gjuhë tjetër ju thatë
kur i puthët tytat e armëve të lirisë
kur i ngjeshët brezat

Se zot të këtij dheu jemi ne
Kosova në Kosovë, gjarpëri i zi në veri
ky është bekimi i nënlokes

amaneti i shkrepave të lirisë

6.
Dhe gjithçka nisi para lindjes së diellit
rrezja e parë u nxi
tërbimit të barbarisë së karpateve

bjeshkët villnin zjarr kullave të lirisë

apokalipsët po vijnë

Çeta u vunë ballë muranë pozicioneve
grykave u dhanë zjarr
komandanti u prin

Me dinakëri dhelpre afrohet një ordi
„a doni vëllezër ndihmë“ me emblemë
e flamur me shkabë
ja dhe ne po vijmë!

Ata janë armiq, zjarr komandant Sala
mbi shtatëdhjetë po i grijnë

Nga krahu tjetër grykat marrin oshëtimë
Asimi, Bekimi, Alajdini, Naipi, Ibrahimi,
Shahadini, Nehati
Me zjarr e mbajnë vijën
si korbat armiqtë po bien.

Xhevati e Shefqeti thërrasin
jepi bacë të pastë atdheu
ja dhe ne po vijmë

Tetëdhjetë luftëtarë përballen me
gjashtëmijë armiq me skafandër
e plot artileri

Çeta luftoi trimërisht më një shtator
gjithë atë ditë.
7.
Bjeshkët gjëmojnë, digjen kullat
çeta luftën s'e ndali
rrugës së lirisë

Malit të Kosovës nis e i bien lisat
një nga një
kodrat lëshuan oshëtimë kobit
mbuluan kullat

E gjatë ishte ajo ditë me zjarr

Xhevat, Salë, Shefqet, Asim,
Alajdin, Bekim, Shahadin, Naip, Ibrahim,
Nehat...

kodra u mbush lule gjaku
luftës për liri

Dhjetë trima po i ndahen çetës
e hynë rreshtave të pishtarëve të lirisë
lule gjaku në kopështin e trimërisë.
8.
Dhe u ngjitën yjeve
për t'i bërë dritë atdheut
netëve të gjata

Rreze të mëngjeseve pa diell

me ju liria themelet
i ka në gjak

Ju lulëkuqet e Vërrinit
flamurtarë lirie
në festat e bardha të Kosovës

Ju yje përjetësie
pishtarë të lirisë.

1998

KA TRIMA VËRRINI

(Dëshmorëve të rënë në Jeshkovë)

Ka trima Vërrini , Agim trim
është etja e gatuar ndër kulla
etja jonë për dritë
që s'e patëm ndër shekuj
tek na kokasnin kobëzezat
çative tona
përpara agimeve të bardha.

Ka trima Vërrini, Besim vëlla
unë besimit tënd i rris lulëkuqet në varg
i ujis ato me dashurinë tënde
për t'i rritur agimeve të bardha
në atdheun e besës.

Ka lisa Vërrini, Fatmir o trim
për shtizë bajraku e për mollëkuqe
kah flatron kuq e ziu
e rriten filizat e atdheut
nëpër pranverat që do të vijnë.

Ka plisbardhë Vërrini, Avdi bacë
është bora e bjeshkës së Sharrit
që i fal bardhësinë
edhe kur tymojnë mjegullnajat
te oxhaku
edhe ku na do atdheu
prapa gurit
e na thërret liria.

Ka trima Kosova
i shihni këta në lapidarë.

Qershor 1999
RËNIA E TRIMIT

(Fatmir Berishës)

Rënkoi toka qielli e retë
mbi plagët e trimit që ra
një pushkë në dorë amanet
luftë deri në fund shokëve u tha
Rënkoi nënlokja për trimin
nga mali një lis kur ra
lotoi Arbëria e Vërrini
mbi trupin e trimit plot plagë
Po s'ndahet se s'ndahet motra
plagët e trimit mëkon
skuqet Drini e Valbona
nënlokja më trimin vajton
Të kuqe i shkroi rrezet dielli
i kuq u bë Drini si në baladë
Ai ra, u bë pishtar i legjendës
Vigani me zemër shqiponje, plot plagë.

Shtator 1998

MUNGESË

Dëshmorit Alajdin Berisha
(shokut tim të klasës)

Zbriti ajo fjalë, dhimbje u mbush kthimi
plot zbrazëtirë mori jeta
shpërthyen kujtimet zbritën legjendat
ç`kob të zi na dhuroi mesjeta
na ndanë ikjet, trimëritë, pavdekësia
mallin e shuam mbi pllakë
rrodhën kujtimet
pritja juaj me lule të freskëta
kthimin tim e mbushi plagë
ra etjes fjala, ra etjes kthimi
dita u shua mbi një kronikë
një fjalë e kërkuar zbriti nga kujtimi
e u bë varg.

27 gusht 1999

HOMAZH PËR MËSUESIN

( Dëshmorit Asim Berisha,
mësuesit tim)

Sonte s`lexova as libra
as poezisë s'i dhashë udhë
nën dritën e qiriut
kujtimi djeg si kurrë

Sonte as në algjebër s`hyra
si moti dikur
në terrin e netëve pa dritë
nata verboi si kurrë

Me natën bëmë rrethe rreth qiriut
si dikur për notën e mirë
një legjendar m'i ngacmon kujtimet
mungesës digjet vetmia

Dhembja m'i tërbon kujtimet
deri në agun e ri
për ushtarin, legjendarin, trimin
pushka e etjes për liri

Me rënien nuk ikin trimat
ka ikur vetëm hija e tij.

Shtator 1998

ÇLIRIMTARËT E LIRISË

(Xh. Berishës dhe shokëve të tij të rënë heroikisht
në fshatin Lez në shtator të vitit 1998)

Para flamurit u betuan
s'e duruan barbarin
për atdheun ata flijuan
që ta gëzojmë ne lirinë.

Kur ra kushtrimi nga Drenica
thirrja e tyre në Vërri jehoi
u ngritën plisat rrugës së dritës
zëri i atdheut kullat i mbuloi.

Ushtuan bjeshkët edhe malet
ushtoi Vërrini anembanë
heroikisht ata qëndruan
për lirinë e Kosovës nënë.

Kur villte vrerë barbaria
bjeshkëve të larta u bënë shkëmb
për ditë të bardha për ditë të mira
me gjak ia lanë tokës çdo pëllëmbë.

Kur ra tërbimi i barbarisë
me tanke, topa e me ushtri
ata gjokset i bënë mburoja
në luftë për atdhe e për liri.


Në zemrat tona thellë jetojnë
u këndojmë këngë e poezi
në zemër të atdheut ata qëndrojnë
pishtarë të dritës për liri.

15 shkurt 1999

FLAMURTARËT E LIRISË
(Heronjve të Vërrinit dhe të të gjithë Kosovës)

Juve më besnikë u pat atdheu
që kullat e krenarisë të frymojnë lirishëm
kur na turret veriu e na e kërkon harrimin

Ju i dhatë jetë nga jeta juaj
dritë nga shkëlqimi juaj
kur na e kërkuan vdekjen me natë

Me ju liria rrënjët i ka në gjak
e shkëlqimin në qiell
nëpër ditët e bardha

Ju yje të pashuar që na i ndriçoni rrugët,
edhe kur na bën natë

O pishtarë të dritës në qiellin e atdheut

O drita të pashuara që i hapni rrugën njerëzisë
edhe kur na bën mjegull përpara
e humbim errësirës

Ju i dhatë këngë jetës, shkëlqim flamurit
në festat e atdheut
që të shkëlqeni historisë
sa herë të na përsëritet ajo

Ju hytë legjendave të dritës
prej ku nis e shkruhet biografia e atdheut
i dhatë ngjyrë lirisë

I dhatë frymëzim vargut në pendën e poetit
ju jap fjalë, penda ime do të gjakojë për ju
O flamuj të atdheut.
Qershor 1999

VARGJE PËR LEGJENDARË

Vetëm legjendat i gjeta dhe lapidarin o trima
kullat e krenarisë që frymojnë lirishëm

Në gojën e filizave të trashëgimisë
e të plisbardhëve te oxhaku
në muret e dyert e llamarinta
duke ndjekur rrezen e diellit
që na e nxinin retë e zeza

Në gurin e legjendës ku shruhej biografia
e dritës
Kush thotë, ka pak heronj Vërrini
e dini sa yje ka qielli, i shihni këta në lapidarë
janë më shumë se yje, më shumë se rreze

Me ta s`ia zë kush diellin atdheut
as kur tërbohen motet e bën furtunë veriu
as kur hijenat e natës na sulen
ata të zgjuar rrinë
Besim, Agim, Fatmir, Avdi
Salë, Xhevat, Shefqet, Hasim, Alajdin, Bekim,
Nehat, Naip, Shahadin, Ibrahim
Bashkim, Ymridin, Alajdin, Feriz, Tahir,
Hysen, Skender, Hajdar Hamit...

Me ta matet mali e i numëron lisat
Me ta matet fusha e i numëron lulëkuqet
Me ta matet bjeshka e i numëron gurët
Ata janë më shumë se lisat
Më shumë se lulëkuqet
Më shumë se gurët
Me ta hapëron liria e i numëron legjendat
Nëpër lapidarët e atdheut.

Prill 1999



DHEMBJA MBI GUR

(Dëshmorëve dhe martirëve të fshatit Kushtendil: Tamil Shala, Refki Shala, Milaim Thaçi, Ramadan Thaçi dhe Sejdi Thaçi)

Buzë bjeshkës shpaloset dhembja
Lulëkuqeve mbi lapidarë
ditëbardha skaliti emra
me trimat legjendarë.

Shtatorët shkojnë e vijnë
Vërrini gëzon dritës së re
atdheu rritet me lirinë
mungesa juaj, plagë ndër ne.

Ju yje të pashuar përjetësie
pishtarë për të bardhën dritë
ditëbardhave lulëkuqe krenarie
Lirisë i dhatë rritë.

1 shtator 2004, pranë lapidarit mbi kodrën e fshatit Kushtendil-Vërri

(Poezi për fëmijë)

RËNIA E PËLLUMBIT

(Vogëlushit Arlind Kryeziu, i vrarë nga granatat serbe në shtator të 1998-s. në Lybeqevë të Prizrenit)

Toka fort po dridhet
gjëmon anembanë
një pëllumb Kosove
dhembshëm lëshon gjëmë.

Malet morën flakë
dielli ndali dritën
një lule e njomë
sot e ndali rritën.

Toka thellë rënkoi
gjëma qiellit ra
një vogëlush Kosove
nga krahu kur ra.

Pranverës së pestë
vjeshta i ndali rritë
një Arlind Kosove
iku shpejt pa pritë.

Vërrini hapi plagët
zemrat në dysh u çanë
një pëllumb Kosove
nga rrita e ndanë.
Zvicër, 21 janar 1999




KURRË NUK I LËSHOJMË KULLAT

(Besimit, Agimit,Avdi e Fatmirit dhe të
rënëve tjerë në Jeshkovë të Prizrenit)

Nga një mbesë më vjen një zë trimi
po më flet nipi si t`ishte vetë Besimi
dhe një fjalë besa po ma thotë
s'i lëshojmë kullat sa t`kemi barot.

Shkrep një rreze, rreze prej Agimi
me za t`bukur po i flet lirisë
gjëmojnë malet është pushka e trimit
ia shkurton gjunjët barbarisë.

Për nënloken bukur vdesin trimat
është Besimi, Agim, Avdi e Fatmir
ata ranë bash si vdesin trimat
për një ditë të bardhë, për një ditë të mirë.

Zvicër, 20 janar 1999

DY METEORË TË PASHUAR PRANË DIELLIT

(Kushtuar dy dëshmorëve të kombit, të rënë më
7 shtator 1998 në Prizren. Astret dhr Arsim Ponikut)

Të dhimbshëm janë shtatorët vëlla
sa dhembja që godet në krahëror
Dritëliria është shkëlqimi juaj
Lavdia e atdheut në kurorë.

E butë, e ëmbël qe fjala juaj
si flatrimi i shqiponjës në flamur
Ju lulëkuqet e shtatorit
dy emra që nuk shuhen kurrë.

Dy drita që japin një shkëlqim
e përflaken qiellit tëndë Kosovë
Astret shkëndijë drite e Arsim
ditëve të bardha, atdheut i ndriçojnë.

Dy meteorë të pashuar pranë diellit
territ i dhanë dritë e shkëlqim
Emra të lavdisë kësaj lirie
Astret shkëndijë drite e Arsim.

Dhe dhembja s'na ligështon
se atdheut liria ka ardhur
Guximi juaj na trimëron
dy emra, rreze drite në lapidarë.

Malësi e Vërrinit, 2 shtator 2004









KUR BIEN PISHTARËT

(Anif Mujit)

Kur bien pishtarët
nata mbyt me terr
Harbon kohëzeza kullave
skuqet Sharri e Vërrini

Kur bien pishtarët
ndrydhen kodrat e varret
lulëkuqet pikojnë dhembje

Kur bie pishtarët
zbrazen votrat
klith mali e Sharri

Kur bien pishtarët
thonë është afër drita
liria po vjen.

Maj 1999

MASAKRA
(Kushtuar pleqve të Malësisë së Vërrinit,
që u masakruan nga ushtia serbe më 2 shtatorë 1998)

Nëpër Malësi harbuan bishat karpatike
shkrumb e hi mbeti prapa tyre
me duar të përgjakura ikën
krimin e morën me vete.

Malësisë i shkruan kulmin e së keqes
krimin e prenë ndër shpata
kullat i lanë në gjak
etjes së tyre satanike
Malësia plagët i numëroi
hirit që u shtrua.

Kobi u mbyt kullave të shkrumbuara
rrënojave plagët mbetën
mbuluar hirit e shkrumit.

Fillimshtatori u la në gjak
Malësia ra në zi

Barbari iku

Fundlufta i mblodhi plagët.

Shtator 1998

E DI VRASËSIN E GJYSHES

I tronditur dje mora lajmin e kobit
nën hijen e diellit të nxënë
përtej reve të tërbuara
lajmi erdhi rrufeshëm
ballit tim të shkrumbuar alpeve
shtator i kuq u mbyte në zi
të njëjtën ditë
rrodhen kujtimet e vogëlisë
në përqafimin e gjyshes
tek i shtrydhte kujtimet duart
nëpër thatësinë e skamjes
unë i flisja për rritën
kur do të bëhemi të pasur
për lirinë që do ta kemi nesër
...
s'e dinim se Vërrinin
do ta mbysë shkrumbi
për lirinë e Kosovës
...
E di vrasësin e gjyshes
...
Serbin
me gjarpër në kokë
gjarpër
që ma vrau gjyshen
në oborr.

2 shtator 1999


GJURMËT E BARBARIT

(Jeshkovë, tetor 2000)

Paradite në Jeshkovë - Gjeq

Diell plot shkëlqim e dritë
m'i ndriçon lirisë
paradite tetori në Jeshkovë

mirë se erdhe nip
më thotë fotografia e gjyshes mbi mermer
dhe lulet mbi varret e martirëve
pranë lapidarit u thashë lavdi dëshmorëve
Trimat e lirisë

Mureve të trasha
dyerve të llamarinta
numërova plagët, plumbat e barbarisë

me grupin e vogëlushëve
Ne i kënduam edhe këngë atdheut
Besimit, Agimit, Fatmirit, e Avdiut.

Edhe 11 Marsin nuk e harruam
betejën e dytë
Luftëtarët e Lirisë
paradita në Jeshkovë,
plot plagë homazh trimërie.

Tetor 2000









PISHTARI I DRITËS

(Dëshmorit Nazim Buduri, i cili ra heroikisht
në betejën e Koshares në pranverë të vitit 1999)

Ty ndër më të mirët të zgjodhi atdheu
dhe flamurit i dhe shkëlqimin e gjakut
i bardhë të jetë qielli flatrimit të shqiponjës

Pranverës iu zbardhën ditët
para agut të dritës
natës së klithjeve tona

Mali e nisi këngën gjelbërimit të pranverës
me grykën e pushkës tënde plot shpresë
për ardhjet e bardha

Guximi u ngrit lavdisë së atdheut
terrin e robërisë e çau drita
që shpërndahej mbi ditët e netët shqiptare

Pushka jote shenjoi terrin e pritjeve
thirrjes trimërore Drenicë Pashtrik e Vërri

Ti i dhe dritë Tokës e Qiellit
e jehona e këngëve do të klithë Vërrinit
me dhembjet e bardhësisë që ecën pa ty

Ti pishtar i kthyer në flamur breznish
skalitur në bronz
Lirisë i jep hijeshi hyjnish.

Hoqë e Qytetit, 16 korrik 2003


M A R T I R I Z I M

(Masakrës së Tusuzit- paralagje e Prizrenit,
ku forcat serbe më 26 maj 1999 vranë dhe
masakruan 25 shqiptarë nëpër shtëpitë e tyr si:; Halil Poniku, Xhemali Poniku,Rexhep Maçkaj,Fazile Maçkaj, Bislim Qengaj, Selvinaze Qengaj,Avdi Berisha, Refki Berisha, Selim Berisha, Feim Berisha, Salih Elshani, Sani Bajrami, Neki Gashi, Fadil Ramadani, Nijazi Muja, Hyrmet Sylejmani, Behar Abdylmexhidi,
Shefik Abdylmexhidi, Sami Abdylmexhidi,
Rafet Abdylmexhidi, Hesat Xhemshiti, Bejan Xhemshiti, Mirsat Osmani, Hajrim Arifi, Ymer Thaçi).

Juve më besnikë u patën kullat
që zjarri i pashuar të na presë te votra
për t'u ngrohur shpresat e kthimeve tona

Ju zgjodhët flijimin, në vend të egzodit biblik
ju i mbajtët gjallë shpresat e kthimeve tona
që të mos vdesin ato në kolonën e ikjes

Ju mbetët gur përjetësie në themelet e kullave
që të mos rrënohen ato pritjes sonë
vonimit të ardhjeve të bardha

Ju mbajtët ndezur fanarin e dritës në kulla
netëve tona pa gjumë nëpër male
që të na i ndriçoni rrugët e pushkëve të lirisë

Ju mbetët dëshmitarë të furtunave karpatike
që na ranë këtejpari me tërbimin e veriut
kullave të Kosovës shkrumb e hi

Lulëkuqeve tuaja dielli lëshon rrezet
që flatrat e lirisë të na i ngrohë
për të fluturuar lirshëm pëllumbat e ardhjeve të bardha

Ju martirë në tokën e atdheut
që e deshët me peshën e gurit në vendin e vet.

Prizren, Tetor 1999

KUMANOVA
(Ismet Jasharit)

S`është skaji i atdheut Kumanova
a dega e ndarë e fisit nga trungu
është krisma e pushkës për bashkim
Ismet vëlla!

As Orizarja s`është vetëm fushë lulëkuqesh
në palë të kuqeziut
është rrënja ku rriten lisat e atdheut
e të shtizës së flamurit për bashkim
Ismet o trim!

S`është Kumanova vetëm rreze dielli
në agun e mëngjesit
as vetëm pishtar drite netëve në errësirë
është më shumë se diell, më shumë se legjendë
në shkëlqimin e ditëve të bardha
për bashkim
Ismet Jashari...
O trim!

Shtator 1998

ZGJOHU PRESHEVË

Zgjohu Preshevë motra ime
këmishëkuqja e shqyer plot gjak
ara ime e shkretë matan gardhi

Zgjohu moj, po t'vijnë trimat plisbardhë
të flasin shqip kullave shqip lirisë
me zjarr robërisë
në dorën mbi vetull
bartin amanetin e të parëve
të trashëguar damarëve

Zgjohu e m'i thuaj Europës
ku është zëri i shpirtit tim
Kjo është klithma e kullave të mia

Zgjohu Preshevë e të ma presësh
Prizrenin, Vërrinin e Përdrininë
po të vijnë Betim Berisha
Eqrem Hoxha e Shkëlzen Krasniqi
t'ti mbjellin lule lirisë

Zgjohu Preshevë motra ime prej gjaku
Zgjohu, zgjohu, zgjohu!
20 tetor 2000

OXHAQET E KULLAVE TË SHKRETA

(Lezi, plagë e dhembjes dhe e krenarisë kombëtare)

Ditëvera që na gjeti pranë jush të pikëlluar
e i hapi plagët që në hapin e parë
s`ishin mjegullnajat as zjarri te votra
kokëlart vetëm ju nëpër rrebeshe e furtuna
mbi gërmadha të rrënuara të kullave të qëndresës
që s`dinë ku kanë mbetur ata që duhet t`i ndezin
se nëpër furtunë ikën e s`u kthyen më kurrë
kush në parajsën e atdheut lulëkuqeve të lirisë
që t'i hapin rrezet diellit që mungonte
vrull ujit burimeve e oshëtimë maleve
këngëve të pakënduara jehonë në hapësirë
e zogut flatrimin në palë të kuqeziut
epokës që iku legjendën e lavdisë
një kronikë mbi gur emër historisë
dhe vargut ngjyrën e gjakut rimë trimërisë
filiza e pipa rritë ardhmërisë
nëpër ditë të bardha lulëkuqe lirisë
emër në lapidar dritë ardhmërisë
atdheun e lirë amanet breznisë.

Lez, gusht 2002
PRILLI I VRARË

Prillit ia vranë qiellin,
bilbilin e ndalën në këndim
diellin i ndalën trëndafilit,
pranvera rrodhi pikëllim

Lumëbardhit iu skuq rrjedha,
atdheut pala në flamur
ideal i vrarë prilli,
ligjërim i papërfunduar

Dhembja në këngë u shua,
qëndresa guxim lëshoi
udhë brezash
ideal rrezatoi.
Prizren,1997

NJË TJETËR JETË

Tani më kandili i idealit tënd shkëlqen
shkëlqimi trazohet nëpër agimet e bardha
pëllumbat e emrit tënd flatrojnë kuqeziut
në fletë lulesh rrezet e idealeve të ardha.

Emri yt flatron me diellin
vakim zemrat e ditëve pa trishtim
lirikë përmallimi nokturno emrit
rrezeve të dritës plot shkëlqim.

Shfletojmë ditët e ikjeve të zeza
dhembja na mbyt trishtimit
qiellit mbulon korbzeza
Atdheu gjakon në pikëllim.

Atdheu ideal i flijimit
emri i skalitur përjetësisë
për bardhësitë e ardha për bashkimin
gjak në flamurin e ardhmërisë.
Prizren, shtator 1999

IDEALI I LIRISË

(Xhemajli Berisha)
Rënia për ideal është pavdekësi
lule e këputur ligjërimi, ëndërr e vrarë drita

Shpresë e këputur liria
prapa dritareve të burgut bishat tërbohen
klithma e shpresave të vrara gjakun mbulon
pse e ndale shkëlqimin para hienave të natës

Ti ishe shkëndijë prej diellit
hijenat trazojnë amshimit, shkëlqimit të të ndalin

Dashuria në buzëqeshje të vizatohej
liria tek rrjedh pavdekësisë
Prizren, 2000

UDHË BREZASH
(Xhemajli Berishës)
Më jep ngrohtësi nga jeta jote
t'ua vak zemrën të tjerëve
Më jep amanetin e këngëve
të pakënduara
ta dërgoj ndër breza
Më jep fjalën tënde që ngeli pa thënë
t'u jap oshëtimë bjeshkëve
Më jep dëshirën e idealit tënd
kult përë rrugën e lirisë
Më jep uratë nga mermeri yt
t'u jap udhë këngëve të pathëna
Prizren, 1997

COPA E GURIT TË THYER

Nuk është gur i larë me ujë Drini
as gur fushe ku pëlcet shati
është copë sharri i larë me gjak trimi
copë Vërrini, gur i atij shpati.

Është copë e djegur në flakë
për legjendën flet një histori
djalë Vërrini e ka larë me gjak
në ditë të kuqe luftës për liri.

Është copë guri ku shkruhet lavdia
ku ikën terri e tek shkëlqen drita
pranë tij grykave foli trimëria
roje gjaku e trimit në prita.

Vërri, tetor 1998



VËRRINI

1.
Tre plumba manxerre rripin
një pikë gjaku në gjeografinë e atdheut
me shtatë buzë Sharri

rrita e fëmijërisë sime
hijeve të tua
ku freskohen zotrat e dashurisë

në këngë, në vaj
në mall të kam

në ty i shartoj pipat e shpresës
me pranverat e bardha që po vijnë
për ta lulëzuar shtatin

ku rrjedhin udhët e zgjaten ato
shpresat e kthimeve i mbajmë në gji

2.
Kullave të larta
qëndresë nëpër shekuj
ku rriten pishtarët e atdheut

oda për burra
që gdhendin eshkën e fjalës
te oxhaku

i mprehin shpatat e mendimeve
për t' u përballur me fortunat
si t'u prehen kokat bajlozëve
të tërbuar mbi atdheun tonë

frenxhi me syrin vëngër
në rojë të atdheut

votra për loket që gatuajnë brumin
për bukën e lirisë

djepa për nëna
që këndojnë ninullat e atdheut

i pathyeshëm ndër mote

3.
Plot plagë shtatin
në luftën çlirimtare ballëlart

pishtarët e lirisë
në flakën e atdheut syrin pishë

për ardhjet e bardha
netëve të errëta pa dritë

zgjuar të pata e të kam
syrin pishë në frenxhi
grykë kah veriu

shkëlqimi i pishtarëve të tu
dritë m'i bën atdheut
nëpër bardhësitë e ardha

të bardhat që erdhën.

4.
Sa krenar më je në histori
me trimat e tu që i vure gjokset atdheut
kur e kërkoi ai

kodrave të tua ku u shkruan legjendat
ju pre udha armikut që deshi të na hedhë
farën e harrimit

lisat e tu të përgjakur me shikim kah dielli
dëshmitarët e erërave te forta që ranë këndej pari
me furi karpatesh e s' i shkulen dot

për trimat e tu
që ditëve të kuqe satanit i dhanë barot
e atdheut më të shtrenjtën jetën

gjithçka rreth teje
sot frymon ballëlart në liri

5.
Të vrullshme m' i ke gurrat
ku ma freskon shtatin

damarëve të tu shtrihen rrjedhat
që i japin rritë barit, aromë lules
ujë krojeve që gurgullojnë kullave

kur fyti të ka zjarrmi, kur ka vera vapë
e Drini kur ka etje
kullave të tua fshihet freskia e borës së Sharrit

edhe rrezja e diellit
shkrihet rrjedhave të tua

6.
Çdo kullë jotja
e ruan nga një plagë
për djemtë që m'i ke larg

për vendin e zbrazët në oda
për derën e mbyllur në dry
pas rrjetës së merimangave

oxhaku s' tymon më

plasarinave të gurëve të kullave
shërohen të çarat e pritjeve
për udhët që s' u kthyen më

sa i gjatë ky udhëtim
i zogjve të tu botës

Vërrini im
fole e dallëndysheve shtegtare

7.
Dhe sa herë kam ethe e digjem zjarrmisë
mallit tend ti më je vargu maje pende
barë i shërimit në këtë udhëtim

nëpër çdo varg që ia them
ah sa më therin plagët e tua
gjurmët e barbarit të veriut

të kam dhe në këngë e në vaj
në mall të këtij udhëtimi alpik
s' na ndahet etja, Vërrini im.

Zvicër, 1999

MALLI QË S'DO TË SHUHET KURRË

(Rinisë heroike të Vërrinit)

Asnjë fjalë nuk e ndërruam si moti
det më është bërë malli
mungon kënga, liria, drita
një oshëtimë legjendash më vjen prej së largu
sonte edhe fjala më del nga vargu
nëpër histori ndizen kandilat
ndërsa vetmia digjet mes ballit
për fjalën, etjen, për bilbilat
një dallgë prej deti trazohet ballit
bjeshkëve të Vërrinit fluturon kujtimi
rrjedhin lumenjtë gurra prej gjaku
merr udhë legjenda e skuqet drini
gjithçka është ngjitur yjeve legjendave
nëpër epikë ka marrë rrjedhë jeta
më djeg një mall në mungesë
kohë të historishme solli mesjeta
ku rrjedhojnë gurrat e merr udhë jeta
ku gjelbërojnë malet e frymon jeta
ku blerojnë fushat e lulëzojnë sheshet
kujtimet shkretojnë mallit.

Zvicër, mars 1999
MLLEF E ZJARRMI

Sonte s`do të flasim
çunat e mi

sonte do të flejmë
nesër do t'ia numërojmë
plagët Vërrinit

Sonte do ta derdhim mallin

në gërmadhat e asaj kulle
kërkoni plojën e shtratit
të paktën sonte ta mbulojmë kokën

nesër hirin do ta mbledhim
t'i bëjmë bashkë germat
t'i lexojmë librat e babait
abetaren tuaj

Sonte do të flejmë, çunat e mi.

Malësi e Vërrinit, verë 1999

MBIJETESA

Kur e ngrit kokën lart
qiellin e kam shtëpi

Kur uria gjurmon
hirit thuren ëndrrat

Kur frymon jeta maleve
Kosova prapë nis e zgjohet
oxhaqet bëjnë roje

Mirë se vini
në shtëpinë time prej najloni.

E mërkurë, 17 nëntor 1998


PLISI I VËRRINASIT

Ç'borë ia zbardhi
e s'ia nxinë kohët

Në ç'gur e mori qëndresën
që s'ia thyen furtunat

Kush ia dha krenarinë
e e mbajti mbi vetull

Bardhësisë së tij
harroi rreze dielli

Ç'bukuri e bardhë
mbi kokën e arbërit
Vërrinasi im.

Malësi e Vërrinit, korrik 2003



RIEMËRTIMI I KATUNDIT
(Arbërisë)

Në zemrën e maleve në Vërri
katundi riktheu emrin
Lashtësinë, origjinën, toponimin
barit të harrimit e mbolli
Barbarizmën e ikjeve të dhunshme
ikjeve të zeza
mes të sotmes dhe të djeshmes
Dhunshëm rëndoi emërtimi
deri në ardhjet e bardha
Vërrini hapi krahët për agun e ri
hapi zemrat, i mbushi malet
Kodrat u mbushën pëllumba
për ditën e bardhë me emrin e ri
Dita hyri përjetësisë në ARBËRI.

Arbëri, e diel, 17 tetor 1999

KËNGA E FITORES

Tash le të gëzojmë pasi e fituam
është më mirë të këndojmë se sa të skuqemi
kohëbardha është ngritur kërkon rimëkëmbje
dritës së ardhur që aq shumë na pat skuqur
ndërsa unë e ti digjemi mallit nëpër shpresë
Ani çka, edhe kjo është jetë!
Nuk kam çfarë t'i bëj tjetër fatit
dashurinë ndoshta do ta djegim mallit
por udhëve kurrë s`do të vdesim
le të gëzojnë të tjerët
Ne e kemi të njëjtën dashuri
le t'i këputim zemrat
e t'i bëjmë bashkë diku
edhe nëse tretemi mallit
e sot le ta gëzojmë bardhësinë
ti atje me plisat e tu e unë këtu mes mallit
e t'i këndojmë ardhmërisë
me ata që erdhën e ikën pavdekësisë
Për ardhjet tona të bardha.



VËRRINI

Shtatit tënd shkarkuan mllefet barbare
trupit të la thonjtë urrejtja
shtatorit çdo vit ia kujtojmë plagët
që rrodhën motit të përdalë
të kuqtë e boncës së Sharrit deri në Dri
lisave të tu ranë erërat e egra karpatike
gurëve i thyen kafkat, ti e di
sa të egra ishin furtunat e erërave barbare
bukuria jote i vrau theqafjes
shkëlqimi i ngritjes sate
që po vinte me diellin
tani më dritëndrin historisë së atdheut
që merr rreze nga rrezja jote
shkëlqimndritur.

Malësi e Vërrinit, 30.7.2003

Nuk ka komente:

Posto një koment