Gëzim Ajgeraj
http://www.gezimajgeraj.blog.com/
http://www.metaforapoetike.de.vu/
BAC, U KRY
(Adem Jasharit)
Plisi shkëlqeu
kur i lëshoi rrezet dielli
mbi ballin e Dardanisë
Natës shekullore
iu thyen perdet e errësirës
përpara diellit
Qytete e sheshe
e kënduan këngën e fitores
***
U desh të jepnim gjak
nga damarët tonë
që të ushqehej drita
me zjarr e hekur
i thyem prangat e robërisë
nën flamurin tënd
me ty në ballë
mbushëlluam malet
me dhimbjen
prekëm majat e qiellit
deri sa diellit
ia këputëm rrezen
***
Mbi ballin e shkëlqimit tënd
gjeti prehë liria
Bac, u kry
(në ditën e pavarësisë)
thirri rinia…
17 shkurt 2008
MBIJETESA E JONË
Na i shtrydhën
Dhe damarët e gjakut
Të na shterroj fara
Me furtunë karpatesh
Na i frynë harrimit
Që filizat e përtëritjes
Të mos na gjethojnë
Na e vranë dhe dritën e diellit
Me terrin e mesjetës
Që të na e shuajnë rritën
Me kokat tona
E ngritën kalanë e lavdisë
Së rrejshme
Deri në Kalamegdan
Me shpata
Me zjarrë
Me hekur
Ruajtën natën tonë shekullore
*
U ngritëm
Nga rrënjë e mbijetesës
Ringjalljes tonë
Kushtrimin e nënlokes
E nxorrëm nga gjiri i dheut
E e bëmë jehonë malesh
Me gjokset e lisave të atdheut
I bëmë ballë furtunës
Kullat, bjeshkët kënduan këngën
E ardhjeve të bardha
Mbi plis shkëlqeu
Dielli i lirisë
17 shkurt 2008
AMANETI I GJYSHIT
(Ditën kur Kosova të bëhet shtet,
lajmin të ma sjellë mbi varrin tim)
Amaneti e ka peshën e gurit
Besa e dhënë betim në flamur e atdhe
Gjysh e nip breza të një ideali
*
Shekulli u përgjak robërisë
Luftërave për çlirim
Brezave dorë në dorë
Flamurin e atdheut
Liria fitohet me pushkë
Askush s'ta e falë
Nipi imë...
*
Amanetin do ta qoj në vend
Gjysh
*
Dhe...
Thirrja e nënëlokes
Na mblodhi pranë idealit
të lavdisë
Hapëm edhe gjokset
E i dhamë gjak atdheut
Nga damarët tonë
Fusha e male gjëmuan
Me zjarr e hekur
Ruajtëm amanetin e kullave
Për ditën e bardhë
Mbi Kosovë
E sollëm lirinë, gjysh
Tani...
Prehu i qetë
Pranë amanetit të nipit...
Kosovën e bëmë shtet
Gjysh
Malësi e Vërrinit, shkurt 2008
NDRYDHJA E FJALËS
Të ruajtëm në strofullën
E këngëve të pa kënduara
Të ndrydhëm me shpresën e dritës
Për ardhjet e bardha
Ushqyer të kemi me ëndrrat
Deri në agun e mëngjesit
Ti digjesh e heshtur
Pushit të etjes sonë
*
Tani që fluturon e lirë
Flatro bukur
Qiellit të lirisë.
21 shkurt 2008
16 shkurt 2009
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment