14 shkurt 2009

Recension për librin:Klithmë malli

Recension

www.gezimajgeraj.blog.com
www.metaforapoetike.de.vu


Iljaz PROKSHI

SIMBOLIKA E FJALËS POETIKE

Gëzim Ajgeraj; "Klithmë malli", poezi, Rilindja, Prishtinë 1997

Gëzim Ajgeraj është emër i ri në letrat shqipe. Mirëpo, ai me vëllimin e tij të parë poetik "Klithmë malli", te lexuesi shqiptar vjen me ndikim të mrekullueshëm si përkrah ligjërimi poetik, motivet dhe temat që vështron, stili i kapshëm dhe njëherësh mesazhi që sjell kjo poezi. Pikë e parë e përceptimit është malli për atdheun, vibrimi i sekuencave shpirtërore mbi dashurinë, njerëzit e tij, të menduarit estetik, qasjet psikologjike të subjektit, si dhe një varg përjetimesh tjera.

Diaspora si frymëzim

Autori poezinë e shkruan me mjaft sukses, me tone të çlirshme, kuptimplote, me sens meditativ për çfar në këtë plan shquhet lirika peisazhiste, që bart me vete mesazh të caktuar me parime të qarta poetike. Poezia e përfshirë në këtë vëllim kap një botë të shqetësuar të subjektit lirik, botën e vetmuar larg atdheut, në diasporë, larg fëmijëve, gruas dhe të dashurëve të tij. S'do mendd se te ky poet të gjitha përjetimet gjat mërgimit, kontaktet me njerëzit e tij që kanë vajtur larg atdheut, ato kontakte të përhershme me ata njerëz, si dhe shqetësimet shpirtërore të tyre kanë lënë gjurmë të pa shlyera. Prandaj kjo poezi del e kapshme, si një ditar intim, e standardizuar në aspektin e procedimit të figurës poetike brenda strukturës së poezisë që krijohet te ne.
Vëllimi përbëhet nga njësit ciklike: "Tinguj dhembjesh", "Botë pa orkestër" dhe "Heshtje e thër". Jo rastësisht në poezinë hyrëse "Larg atdheut", Gëzim Ajgeraj përcepton dhembjen e individit të mërguar, që nis nga gjendja e ndieshme e tij dhe vjen gjer te shpresa se gjakimi për liri nuk do të shuhet kurrë, por do të vazhdoi të egzistojë. Është një poezi që në thelb ka aftësinë e të shprehurit, unitetit motivor e tematik. Ky djalosh që mërgoi si shumë bashkatdhetarë të tij mori guximin t'i publikojë këto poezi, motivet e të cilave janë të përshkuara nga një frymë pa hezitime, por përherë të ndieshme, të ngashëryera. Nëpërmjet qenies së vet poeti bën thirrje për ta ndjerë "vetminë dhe ëndrrën e tij". Së dyti kërkon që lexuesi ta kuptojë flirtin që bart bota e tij e brendshme ndaj të bukurës, vetë poezisë. Sepse është një poezi që vjen në kohën kur fluksojnë libra gjithfarësh, me vlera të dyshimta...
Gëzim Ajgeraj starton, pra mjaft bindshëm, meqë arrin që idetë, motivet, frymëzimet t'i shkrijë natyrshëm në vargje, vjen tamam në çastin kur do të "shpëtojë" të mërguarin dhe mbase vetveten. Për më tepër kjo poezi do të gjej lexuesit e vet, nga se poeti ia di origjinën gamave të individit dhe kolektivitetit të vet, mënyrën e klithmës së mërgimtarëve, imazhet, ironinë poetike me kontraste, por që kanë një kuptim të caktuar, që me pak fjalë të përfshihet gjithë drama në diasporë.

Mozaik lirik i një ditari intim

Lirika e këtij krijuesi është mjaft e shqetësuar, ai ndjen dhembjen për faktin e subjektit, i cili gjakon përherë lirinë që i mungon, duke bredhëritur nëpër botë, duke ngritur zërin e et, vlimin e brendshëm, që kuptohet vetëm përmes figurave dhe simboleve, fjalës magjike.
Është me rëndësi të veçohen tri motivet bosht të këtij vëllimi: nëna që simbolizon atdheun, gruaja që shënjon dashurinë e mallëngjyer, natyra-pikturimi i rrethit, janë pra opcione lirike të këtij poeti, që kanë njëherësh një rezonancë: atdhedashurinë, që merr funksion të caktuar stilistik, sematik dhe ideoestetik.
Vëllimi "Klithmë malli" është vëllim për njeriun që botën e kundron nga një kënd vetjak, me interesim të thellë, herë-herë i mbushur me emocione të tepruara, por mbi të gjitha me një sens poetik. Është kaq i thjesht objektivi i përceptimit, sa edhe shqetësimi vjen virgjëror, me ngashërime të mëdha, duke bërë mbase një rizbulim mbi këtë dhembje, të cilat janë thënë çlirshëm dhe me maturi.
Mirëpo nëse emocionet e këtij poeti paraqiten në një formë më të shtërnguar, ato nuk janë abstrakte, sepse lufta për çlirim vjen vetvetiu dhe kuptohet vetëm gjatë leximit ndërmjet rreshtave, si lufta për egzistencë, m¨në fund edhe për art të mirfillshëm, për qfarë Gëzim Ajgeraj e ka ndjerë, kuptuar dhe do të vazhdojë ta kultivojë edhe më tepër.
Poezitë e përmbledhura në këtë vëllim kapin jo vetëm indin verbal, por edhe metaforik, të qasjes poetike të subjektit lirik: kapen ato shtresat e kujtimeve, mallit të përhershëm, që në brendi përbëjnë një mozaik lirik i shpaluar si në ditarë intim.
Poezia e Gëzim Ajgerajt mund të thuhet ndërkaq se është një zë i mëvetësishëm, që gjërat i vështron në heshtje, frymëzimet e gjejnë përherë me penë në dorë, në vetmi, pa zhurmë, i hedh ato në letër dhe bën initerarin e tyre të mbarë "për shpirtin e trazuar/që ia ka plasur zemrën", siç thotë poeti. Gëzimi e shkruan poezinë e vet me ndjenja i vetëdijshëm për misionin që ka krijuesi, pa mendje të turbulluar, por me interesime të mëdha për botën, njerëzit e vet. Ai është një talent që ka potencial krijues që padyshim do të pasurohet me libra të tjerë dhe vlera edhe më të avancuara.

Prishtinë, 5 tetor 1997

Nuk ka komente:

Posto një koment