21 shkurt 2009

Pavarësia krijuese dhe hapësira e autorit në shoqëri

Gëzim Ajgeraj

http://www.gezimajgeraj.blog.com/
http://www.metaforapoetike.de.vu/

Pavarësia krijuese dhe hapësira e autorit në shoqëri


PAVARËSIA KRIJUESE


Se krijimtaria është një çështje individuale dhe e pavarur, kjo dihet. Për ta ruajtur atë pavarësi, krijuesi nuk duhet të jetë i prirë apo i imponuar nga ndikimet e jashtme, apo edhe nga ato të brendshme që mund të lindin ndonjëherë, sepse do të çonin në dëm të veprës së krijuar. Ndikimet e jashtme mund të jenë të shumëngjyrshme nga të cilat do të njollosej vepra e krijuar. Ato mund të jenë: ndikime grupore, klanore, partiake, etj. Në ndikimet individuale që mund të lindin te krijuesi, mund të jenë: simpatia, urrejtja, interesat individuale, etj. Të gjitha këto që i përmendëm, në kuptimin negativ do të ndikonin në dobësimin e qëllimit dhe ruajtjes së pavarësisë krijuese. Ekzistojnë edhe elemente tjera që mund të nxirren brenda kësaj hapësire, por është shumë e rëndësishme që krijuesi të ruhet nga këto ndikime. Ai duhet ta ndërtojë hapësirën krijuese jashtë këtyre kornizave, brenda një vizioni më të gjerë nga i cili nuk duhet të ndahet asnjëherë. Këto ngacmime negative mund të jenë të përkohshme, ndërsa vepra e krijuar mund ta ruajë përjetësinë. Është edhe një element shumë i rëndësishëm, nga i cili fillojnë të gjitha këto çështje. Pastërtia shpirtërore është faktor kyç për ndërtimin e personalitetit krijues, sepse prej aty do të niset misioni i veprës, se çfarë pavarësie dhe vlere do të ketë një vepër. Se sa do të jetë në gjendje krijuesi ta ruajë atë pavarësi, këtu lidhet i gjithë problemi. Pra, për ta ruajtur pavarësinë krijuese, krijuesi nuk duhet të udhëhiqet as nga parimet e sëmura individuale që mund të ekzistojnë në qenien njerëzore, e as nga përpjekjet grupore apo klanore të cilat reflektojnë rreth tij. Në një kuptim më të gjerë, krijimi i dedikohet dikujt, por ai duhet të ketë hapësirë të gjerë e të pavarur ku gjithmonë do të fitonte arti. Në këtë rast, edhe krijuesi, por edhe vepra e krijuar, do ta reflektonte vetë hapësirën dhe pavarësinë krijuese, nga e cila s'do fjalë se do të rridhte suksesi.


HAPËSIRA DHE MUNDËSITË AFIRMATIVE TË KRIJUESIT NË SHOQËRI


Hapësira dhe mundësia afirmative e krijuesit, është një çështje në vete brenda së cilës shpesh sillet suksesi dhe mossuksesi i krijuesit në shoqëri. Pra, suksesi varet nga rrethanat dhe zhvillimet brenda një shoqërie të caktuar. Këtë e themi duke pasur parasysh hapësirën krijuese që mund ta përcaktojnë faktorët e zhvillimeve politike brenda një sistemi të caktuar në shoqëri. Nëse krijuesi është i prirë ta thotë mendimin e lirë të tij, por që nuk i përshtatet një zhvillimi politik në kohë të caktuar, hapësira e tij është e kufizuar. Kjo ka ndodhur shpesh në sistemet moniste, por për fat të keq, pasojat e këtilla po barten edhe në sisteme me mëtime demokratike. Me një fjalë, krijuesi gjithmonë duhet të jetë i prirë nga një parandjenjë e krahasim me kohën, dhe ndodh shpesh që hapësira e tij të jetë e ngushtuar nga çështjet e mospërshtatjes me kohën, apo moskuptimit të drejtë të tij. Brenda kësaj hapësire të ngushtuar, gjithmonë dëmtohet fjala e lirë. Dhe, nëse ky mendim i lirë që duhet t'i paraprijë krijuesit, nuk i përshtatet kohës, sistemit, grupeve, apo klaneve që i kanë në dorë institucionet e caktuara në shoqëri, mundësitë e tija për afirmim, do të hasin gjithmonë në pengesa. Pra, në këtë rast, mundësia për afirmim, përsëri ndihet brenda grilave. Kjo siç e thamë më lart ndodhi gjatë sistemeve moniste kur individë të caktuar u gjendën në ballë të institucioneve që i shërbenin shtetit, e jo interesave të popullit. Krijuesi duhet të jetë i përcaktuar t'i shërbejë letërsisë e cila i detyrohet kombit. Ndërsa jo gjithmonë pushtetet i shërbejnë atij. Në këtë pikë, hapësira afirmative në shoqëri gjithmonë ngelet e cunguar. Në sistemet më të përtëritura, çështja qëndron pak më ndryshe, por jo edhe te vendet në tranzicion, sepse pasojat e një mentaliteti të caktuar kërkojnë kohë për t'u ndërruar. Mundësitë afirmative siç e thamë në shoqëritë më të avancuara, lidhen ngushtë me vlerat, interesat e shtëpive botuese të cilat pastaj, vënë në lëvizje gjithçka: reklamat, mediet dhe gjithë potencialin reklamues që do të krijonte hapësirë të gjerë në shoqëri. Në këtë drejtim, shpesh ngrihen edhe vlera. Shtrohet pyetja: si mund të ndodhin ato? Brenda një zhvillimi kohor, apo një ngjarje që e tërheq opinionin, krijohet një vepër që do t'i përshtatej kohës. Ajo mund të bëjë një bum në shoqëri pavarësisht nga vlera që ka. Raste të tilla kanë ndodhur, më pakë në letrat shqipe, por më shumë në atë botërore. Në fakt në vizion, ato krijime kanë rënë me rënien e interesimit për një ngjarje të caktuar. Kështu pra, brenda saj edhe nëse ka munguar vlera, bumi i kohës e ka ngritur, por kalimi i kohës e ka hedhur në harresë. Në këtë rast hapësira afirmative lidhet ngushtë me fatin e krijimit-veprës. Prandaj, krijuesi gjithmonë duhet të krijojë vlera, pavarësisht se brenda një kohe të caktuar i mungon hapësira. Kohët ecin, ndaj edhe kualiteti i veprës u qëndron atyre. Kjo ka ndodhur edhe në letërsi, edhe në art, pikturë etj, kur te shumë krijues, pas vdekjes së tyre, vepra e tyre ka arritur kulmin e hapësirave në shoqëri. Vlera e krijimit e gjen kohën dhe hapësirën vetë në shoqëri, pavarësisht se gjatë një kohe të caktuar ajo cungohet.


ROLI I INSTITUCIONEVE NË AFRIRMIMIN E KRIJUESIT


Kur flasim për krijuesin, parasysh gjithmonë e kemi veprën e tij. Kjo është e pandashme. Por, se cili është roli i institucioneve, qofshin ato kulturore, meditative apo edhe institucione shtetërore, pak a shumë u thanë edhe më lart. Megjithatë, disa çështje duhet të kapen më gjerësisht për ta qartësuar këtë çështje. Nga institucionet që u zunë në fjalë, do të fillonim me ato kulturore. Këtu mund të jenë: shtëpitë botuese, shoqatat e ndryshme, lidhjet e shkrimtarëve, klubet letrare, qendrat e ndryshme, etj. Të gjitha këto, kanë rol të rëndësishëm si në afirmimin e krijuesit edhe në degradimin e tij. Një krijuesit të ri, me siguri se do të i mungojë përvoja në hapat e para, pastaj gjithçka nuk mund të jetë e përkryer. Në këtë rast ai do të ndeshet që në hapat e parë me këto institucione, që kuptohet i ndërtojnë individët. Marrë me problematikën e çështjes, është shumë i rëndësishëm roli i këtyre institucioneve se si do të akceptohet krijuesi, vepra e tij. Këtu do të gërshetohen edhe interesat individuale të individëve që e udhëheqin një institucion. Përvoja e shoqërisë sonë ka treguar në praktikë, se jo gjithherë ka shkuar në drejtimin e duhur roli i institucioneve në afirmimin e një krijuesi. Kjo është përsëritur shumë herë për fat të keq te shumë krijues, të cilët kanë përfunduar nën pluhurin e kohës. Me një fjalë, ata janë persekutuar deri në ndjekje penale. Historia e letrave shqipe njeh plot këso raste, si këndej në Kosovë edhe në Shqipëri Për fat të keq, roli i institucioneve po vazhdon edhe më tej, jo me ato mundësi dhe ato premisa, por megjithatë, ka krijues që edhe sot e kësaj dite e ndjejnë veten të ndrydhur nga këto institucione. Po flasim gjithmonë për anët negative, sepse ato janë virusi që e dëmton fjalën e lirë, e që ne angazhohemi për një liri sa më të gjerë të krijuesit në shoqëri. Për fat të mirë, kjo nuk ndodh me krijuesit që kanë filluar të bëjnë emër, ose janë të afirmuar në shoqëri. Ata nuk janë të varur nga këto institucione. Kjo duhet të dihet botërisht, për arsyen se, krijimtaria është çështje individuale. Herët a vonë vepra e krijuar e gjen vendin e vet, pati o s'pati ndihmë apo pengesa. Çështja është pak e çuditshme, sepse në njërën anë po përmendim institucione të cilat ndërtohen brenda një shoqërie, për bashkimin e vlerave, afirmimin e tyre në shoqëri dhe më gjerë, thithjen e atyre vlerave dhe shumë detyra tjera që mund të kenë ato. Mirëpo, përvojat e zhvillimeve në shoqërinë tonë, brenda këtij gjysmëshekulli, kanë treguar se ka pasur institucione që kanë vendosur edhe në dëm të krijuesit. Kjo pikë e zezë është edhe esenca e problemit të cilin po e trajtojmë. Nga këto dobësi, duhet të mësojnë të gjithë individët brenda këtyre institucioneve vendosëse, se për hir të interesave të ngushta, smirës, interesave klanore apo edhe arsye tjera që mund të gjenden plot, vendosin në dëm të krijuesit. Brenda një kohe të caktuar, roli i tyre mund ta dëmtojë krijuesin, por jo përjetësisht. Kohët ndryshojnë dhe krijuesi i vendosur do ta gjejë veten në shoqëri. Do të jetë ai që do ta demaskojë kohën e ligësive, pastaj, kur flasim për pikëpamjet pozitive, për institucionet, mundë të ndikojë shumë në fillimet e para të krijuesit, deri sa ai ta gjejë veten në shoqëri. Në fund të fundit, lexuesi është ai që zgjedh dhe jo institucionet. Prandaj, krijuesi gjithmonë duhet ta krijojë pavarësinë e vetvetes dhe përmes veprës së tij, ta kërkojë rolin në shoqëri. Të gjitha këto që u thanë, kapin të gjitha nivelet e institucioneve. Megjithatë, kohët ecin siç ecën vepra e krijuesit, dëshira gjithmonë i qan hapësirat që mund të kenë qenë të mbyllura dhe, edhe pse me vështirësi, krijuesi e gjen veten e vet. Ku mbetet roli i individëve dhe i institucioneve?- Kjo është pasoja.
Krijimtaria si çështje individuale deri te rëndësia shoqërore
Mendoj se krijimtaria si çështje individuale, është e përcaktuar brenda një afati kohor, derisa, vepra e krijuar, e cilësdo lëmi qoftë ajo, është nga koha e krijimit të saj, deri te hapat e publikimit. Brenda këtij afati kohor, ajo (vepra) lind, zhvillohet derisa bëhet gati për publikim. I gjithë ky proces i takon individualitetit dhe në këtë rast, premisat e rëndësisë shoqërore zhvillohen vetëm në një drejtim. Ato nisen nga autori, i cili duhet të ketë parasysh rëndësinë shoqërore të veprës së tij. Pra edhe në këtë rast, edhe pse i takon individualitetit, autori gjithmonë duhet të ketë parasysh shoqërinë. Duke pasur parasysh këto elemente, përpara dalin edhe çështje tjera të cilat edhe më tej e tërheqin vëmendjen për kujdesin që duhet të ketë autori, nga kushtet dhe rrethanat që zhvillohen në shoqëri. Në këtë kontekst, nëse kihen parasysh kushtet dhe rrethanat shoqërore, në disa raste autori do të ndihet i shtrydhur, i përkufizuar, apo edhe vetë i censuruar, varësisht se cilat rrethana do të zhvillohen në shoqëri, qofshin ato të aspektit social, kulturor apo politik. Te ky i fundit, nëpër labirintet të cilat kaloi shoqëria jonë, duke pasur parasysh sistemet komuniste në gjithë Evropën Lindore, vijmë deri te mënyra e vetë censurimit të veprës së autorit, që në procesin e parë të lindjes së saj. Nëse do të jetë i përshtatshëm për shoqërinë, sistemin ose jo, ndryshe pas publikimit, autori duhej t'i bartte koncesionet. Prandaj, vetëdija krijuese e autorit duhet të ishte ajo që do ta vetëcensuronte veprën, për shkak të zhvillimeve në shoqëri. Këtu pra ngec çështja, se vizioni i krijuesit, duhet t'u prijë zhvillimeve shoqërore. Ai, në këtë rast do të ndihej i shtrydhur, i shtypur dhe i përkufizuar, të ecë brenda zhvillimeve në shoqëri. Për fat, jo edhe të gjithë krijuesit, u pajtuan me këtë. Përkundrazi, ata gjetën forma, metoda dhe rrugë në krijimin e një hapësire të gjerë, e cila do t'u prijë gjithë atyre zhvillimeve, që e shtypin fjalën lirë. Kjo ishte dikur, por me rënien e sistemeve, ranë edhe këto elemente që e përkufizojnë autorin. Gjatë trajtimit të këtij problemi, arrijmë edhe te roli i veprës në shoqëri. Në të shumtën e rasteve, krijuesit e veprave ishin ata që i thyen vizionet e përkufizuara brenda një kornize, siç ishte totalitarizmi dhe shpërthyen përtej tyre, duke aluduar në një botë të lirë. Mendojë se, është kjo vetëm një nga çështjet e shumta të ndikimit shoqëror të krijimtarisë. Pra, duke u nisur nga individualiteti e deri te rëndësia e veprës së krijuesit në shoqëri, është një proces i gjatë i cili duhet të kalojë nëpër disa faza.


NGACMIMI I MUZËS - FRYMËZIMI


Sentencat e çastit, perceptimet, emocionet dhe të gjitha zhvillimet që e rrethojnë autorin, kalojnë nëpër fazën e akceptimit psikologjik të tij, zhvillimit e deri te ideja e formulimit të mendimit për hedhje në letër. I gjithë ky proces i takon një bote komplekse me shumë çështje dhe zhvillime, herë-herë edhe të pashpjegueshme. Ngacmimi i çastit apo frymëzimi, është element që herë-herë vjen pahetueshëm në mendjen e krijuesit, e herë edhe duke e kërkuar aty, varësisht se si krijuesi e percepton botën rreth tij dhe zhvillimet që ndodhin. Ngacmimit të muzës i prijnë parafytyrimet, lëvizjet, skenat e ndryshme, zhvillimet psikologjike brenda tij, ato në shoqëri, etj. Të gjitha këto ngacmime çojnë deri tek ideja e formulimit të atij frymëzimi, nga i cili pastaj do të krijohet vepra. Aftësia perceptuese e individit, në këtë rast autorit të një krijimi, është një çështje tjetër e cila lidhet ngushtë me aftësinë psikologjike të perceptimit të gjërave brenda vetes, në ambient, në shoqëri dhe në të gjitha zhvillimet që e rrethojnë atë. I gjithë ky proces, që ndodh në këtë fazë, është procesi më kompleks i krijimit të veprës.


FORMULIMI I IDESË


Nga ngacmimet dhe perceptimet që ndodhin në fazën e parë te krijuesi, lind ideja për krijimin e një vepre, qoftë ajo letrare, figurative, artistike etj. Në rastin tonë, është ajo e krijimtarisë letrare brenda së cilës jemi të përqendruar. Ngacmimi që ndodh brenda psikologjisë së krijuesit, e krijon idenë dhe motivin nga i cili duhet nisur për krijimin e një vepre. Brenda këtij motivi, krijuesi e formulon idenë, se çfarë dëshiron të krijojë, duke iu përshtatur motivit ngacmues nga i cili ka lindur ideja. Siç shihet pra, edhe ngacmimi, edhe formulimi i idesë janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën dhe qëndrojnë shumë pranë njëra tjetrës, saqë gati është e pamundshme të akceptohet distanca kohore ndërmjet tyre. Sa i përket formulimit të mëpastajmë, ai do të plotësohet, do të pasurohet me ide dhe ndryshon në raste të caktuara. Ideja nganjëherë nuk është fikse. Ajo shkon duke u përsosur, deri në përshtatshmërinë më perfekt që i vesh autori veprës. Në çastin kul lind ideja, ajo, jo në të gjitha rastet është e përkryer, prandaj përsosmëria e saj është proces në vazhdim. Ajo vazhdon gjithmonë edhe pasi të jetë hedhur në letër. Pra, formulimi i idesë, se si do të duket një vepër, se si do të perceptohet ajo dhe cila është forma më e mirë e saj, është punë e krijuesit, e cila vazhdimisht e kërkon përsosmërinë. Ky proces, nuk mund të jetë i qëndrueshëm edhe në veprën figurative. Ajo ka një rrugë më të shkurtër të formulimit të saj, sepse vetë fillimi i hedhjes së ngjyrës në letër e përkufizon atë. Megjithatë, plotësime ndodhin edhe këtu, por ideja mbetet e qëndrueshme. Në veprën letrare, ndodhin përshkrime, ripërshkrime, plotësime e largime fjalësh e fjalish, por edhe këtu mund të thuhet se ideja mbetet e paprekur. Edhe përkundër të gjitha këtyre, procesi i formulimit të idesë i mbetet fillimit, pas të cilit do të kërkohen forma, stile, plotësime etj.


HEDHJA E IDESË NË LETËR


Që nga lindja e saj, nga formulimi e deri te hedhja në letër, është një proces intensiv që ndodh në mendjen e krijuesit. Ajo shpeshherë te krijuesi ushtron presion dhe kërkon të dalë jashtë tij. Kjo nuk mund të kuptohet ndryshe, pos procesit të hedhjes në letër. Nganjëherë te autori, ajo ushtron presion, nga e cila edhe ai vetë do të ndihet jo lirë nëse e do veprën dhe nuk dëshiron ta humbë atë. E themi këtë, sepse nga procesi i lindjes së idesë e deri te hedhja në letër, ekziston një rrezik që mund të quhet humbja e idesë, siç e quajnë krijuesit. Ky rrezik që ekziston në këtë mes, vetvetiu e krijon presionin te krijuesi, që sa më parë ta hedhë në letër atë ide. Janë forma të ndryshme të dokumentit të idesë, por nga më të aplikuarat, p.sh. te krijuesit e veprave letrare përdoren notesët në të cilat bëhet dokumentimi i idesë. Pastaj, ajo përpunohet, zhvillohet, plotësohet, siç e përmendëm edhe më lart. Megjithatë, procesi i hedhjes në letër të idesë, krijon premisa sigurie te krijuesi për ruajtjen e idesë. Është një proces i gjatë pastaj, që kërkon rregulla dhe norma të cilat e ndërtojnë një vepër, në këtë rast atë letrare, qoftë në poezi, prozë, roman etj. Këto norma i takojnë përgatitjes së krijuesit nga i cili pastaj do të varet rëndësia e veprës. I takon një natyre tjetër kjo çështje. Mirëpo, ne u përqendruam vetëm në fillin e parë të procesit, por ky proces është shumë i gjatë dhe i mundimshëm, varësisht nga gjinia letrare në të cilën përqendrohet krijuesi. E rëndësishmja për ne, ishte fillimi i hedhjes në letër i idesë, e cila pastaj me punën, aftësitë dhe njohuritë e krijuesit, do ta marrë formën përfundimtare. Deri te përfundimi i këtij procesi siç e thashë, do të ketë rrugë të gjatë, ndërsa përfundimi i tij është kur autori e fut veprën në shtyp për publikimin e saj. Këtu përfundon ky proces dhe prekshmëria e veprës që i bën autori.


PUBLIKIMI


Fillimi i publikimit të veprës së krijuar, është kontakti i parë i krijuesit dhe lexuesit. Lidhja në këtë mes është vepra e cila e krijon këtë urë në mes. Publikimi fillon atëherë kur vepra del nga shtypi dhe i vënë kontaktet e para me lexuesin, apo shijuesin e një vepre artistike. Procesit të publikimit të një vepre, i paraprin redaktimi i saj, recensioni, lektura dhe kontrolle të tjera, të cilat kalojnë nëpër njerëz profesionistë të këtij lëmi. Kur vepra përcaktohet për botim, autori i ofron këtij kolegjiumi veprën e vet, i cili pastaj e bën vlerësimin e saj. Duke kaluar nëpër këto faza që u përmendën, ajo hyn në shtyp dhe pasi të jetë përgatitur si vepër, me të gjitha çështjet teknike që pasojnë, bëhet shtypja në letër e saj. I gjithë ky proces është i natyrës teknike. Shpërndarja e veprës dhe publikimi i saj, krijon kontaktet e para me publikun. Publikimit i prijnë edhe reklamat e ndryshme që mund t'i bëhen veprës, qoftë nga shtëpia botuese apo nga mediet informative. Kjo është një çështje që e ndihmon më së shumti interesimin e shoqërisë për veprën e publikuar. Pra, publikimi nuk është çështja finale e autorit. Janë premisat e reja që lindin pas publikimit, është akceptimi pozitiv apo negativ në shoqëri. Është rëndësia e veprës, kualiteti i saj, që do ta vënë në sprovë pastaj vetë autorin. Ai do ta përcjellë veprën e tij, refleksionet e saj në shoqëri, efektet por edhe rezultatet. Vetë vendimi për publikim, është një sprovë e madhe nga e cila është ai që vendos t'i hyjë kësaj sprove. Është fillimi, ai i mëdyshjeve te krijuesi, që në të shumtën e rasteve mund të thuhet lirisht se premisat e pas publikimit të veprës jo edhe plotësisht, janë paramenduar nga ana e autorit të veprës së publikuar. Megjithatë, autori gjatë kohës së përcjelljes së veprës së publikuar të tij, reagimeve, qofshin ato të natyrës pozitive apo negative, gjithmonë duhet të mësojë nga ajo përvojë. Kështu krijohen premisat e korrigjimit dhe mospërsëritjes së të metave, nëse kanë ndodhur ato. Kjo mund të thuhet, edhe kuptimi pozitiv, edhe përfundimet e nxjerra duhet pasur parasysh në ardhmëri. Pasojnë pastaj shkrimet, publikimet e ndryshme nga të cilat edhe vetë autori, në të shumtën e rasteve mëson shumë nga ato.


RËNDËSIA E KRIJIMIT TË PUBLIKUAR NË SHOQËRI


Cilat janë efektet, reagimet, si perceptohet vepra dhe cila është rëndësia e saj në shoqëri? - Këto janë pyetje që prapë duhen të kihen parasysh edhe në mendjen dhe vizionin e autorit. Ai duhet t'i ketë parasysh që në fillimin e parë të parapublikimit të veprës, në një parashikim që mund t'i bëhet. Ndërsa, pas publikimit, krijon premisa të reja, efektet e së cilës do të barten në shoqërinë e gjerë, qofshin ato pozitive apo edhe e kundërta. Autori gjithmonë mëton pozitiven, dhe nuk besoj që mund të ketë autorë, që përmes veprës së tij të sjellë dëm në shoqëri. Efektet e para mund të shihen që në komunikimin e parë të veprës me lexuesin, publikun. Kjo do të shihet përmes reagimeve në kuptimin pozitiv të fjalës, pra varësisht nga individi se si do ta perceptojë atë, sa do t'i përmbushë kërkesat dhe interesin e tij, sa është e dobishme vepra e krijuar, etj. I gjithë ky proces ndodh brenda individit që do ta akceptojë veprën e lexuar. Vepra bëhet e rëndësishme, kur lexuesi e gjen veten, përmbushen një pjesë e kërkesave të tij. E gjithë kjo masë e veprës kur depërton në shoqërinë e gjerë, refleksionet do të fillojnë të duken shumë shpejt, duke pasur parasysh efektin pozitiv në të mirë të shoqërisë. Nëse botohet një broshurë me leverdi shkencore nga ana e mjekësisë, apo nga ajo farmaceutike, ku drejtpërsëdrejti do të përfitojë shoqëria, rezultatet do të duken shumë shpejt. Apo, ta marrim një vepër letrare, megjithëse efektet patjetër do të jenë diku, ato do të jenë të vështira për t'u akceptuar efekti i shpejtë i saj, megjithatë në një përcjellje më perfide, apo studim në mënyrë që të bëhej më pastaj, efektet patjetër do të hetohen. Do të hetohen ato në ngritjen shoqërore. Nëse vështrohet me një sens më të hollë, vepra letrare do të ketë ndikim të fuqishëm në shoqëri. Këtë do të mund ta elaboronim edhe përmes shembujve. Ta marrim shoqërinë tonë shqiptare, sidomos pas luftës së Dytë Botërore. Krahas zhvillimit të shkollave, me rritjen e veprave letrare, janë krijuar premisat e një zhvillimi të hovshëm kulturor. Kjo thuajse ka ecur paralel me rritjen e këtyre veprave. Apo, frymëzimi i veprave të rilindësve tanë, i cili vazhdimisht frymon në shoqëri. Është fryma atdhetare e cila është ruajtur përmes veprave të krijuara. Edhe për kundër shtypjes që i është bërë shoqërisë sonë, ajo frymë e ka mbajtur të ndezur kandilin e lirisë. Flasim për zhvillimet dhe rrethanat në Kosovë. Po ta shikojmë nga këto kënde veprën letrare, roli i saj në shoqëri do të jetë shumë i rëndësishëm. Krijimtaria e cilësdo lëmë qoftë ajo, duhet t'u prijë zhvillimeve në shoqëri. Aty gjithmonë duhet të mëtojnë përtëritjen në vizion të cilin duhet ta ketë gjithmonë parasysh krijuesi i veprës. Ai duhet të mëtojë të ecë gjithmonë përpara, duke pasur parasysh zhvillimet e kohës, që me veprën e krijuar të bëjë hapa përpara në shoqërinë e gjerë. Mendoj se, nëse një vepër nuk do të mund të përtëritet përpara kohës në të cilën krijohet ajo, duhet kërkuar ngritjen e saj, ndryshe duhej të binte poshtë. Nëse nga vepra nuk përfiton edhe shoqëria e gjerë, profitet individuale nuk do të çonin askund, pos në humbje kohe. Ekzistojnë edhe çështje tjera që lidhen ngushtë me rolin e veprës në shoqëri dhe rëndësinë e saj. Nëpër labirintet të cilat po kalon shoqëria jonë, është problematikë shumë e gjerë të perceptohet se sa e rëndësishme është një vepër, një krijues dhe sa i dobishëm është për shoqërinë, duke pasur parasysh edhe gjithë ato zhvillime negative që sillen brenda kësaj problematike. Një krijues mund të jetë i rëndësishëm, se i ka shërbyer një klani, një partie, një grupi individësh, apo një interesi të caktuar. Tjetri nuk mund të jetë i rëndësishëm se nuk i ka shërbyer askujt pos krijimtarisë së mirëfilltë dhe krijimtaria e tij mund të gjendet e izoluar, apo edhe e kundërta. E gjithë kjo çështje, ka përmasën e dimensioneve të gjera për një studim të veçantë. Nganjëherë veprën e bëjnë të rëndësishme zhvillimet shoqërore të kohës se si do të jenë ato zhvillime, cilat janë efektet e veprës, ndikimi i saj për atë kohë, e tjera, e tjera. Në fund mundë të thuhet se, roli i veprës dhe ndikimi i saj në shoqëri është tepër i gjerë. Ajo duhet t'i paraprijë zhvillimeve në kohë, element të cilin duhet pasur parasysh krijuesit, e që në të shumtën e rasteve, për fat të mirë u paraprin zhvillimeve në shoqëri.

Zvicër, 5 dhjetor 2003.

Nuk ka komente:

Posto një koment