24 dhjetor 2008

MONOLOG

Gëzim AJGERAJ

Monolog

Rastësi apo udhëtim i pa fund
Udhëheqin këto ikje unin tim
Duan mbathca apo duan kthim
Njëqindvjet largësi nëpër botë
Duan që unë një grusht i dheut
Të Sharerit që të çmallem me ty
Dhe që ky mishërim me jetën
Të na shpjer në dritën e fatit
Ku duan zotrat e dëshirave
Dhe të ëndrrave të pa arrira
Nënë t`u verbuan sytë sall lot
Te pragu i shkrumbuar në lagjet
E shkreta e të lisi e të hija e arrës
Deri te votra e sofra e shtruar
Nën qiellin tënd bie një tel kitare
E mallin na ngacmon së largu
E rigon shi mbi vargjet e shkruara
Me shkrumb për këngët e mbetura
Përgjysmë si kujtim i idhët i ikur
Duke fshirë lotët me shaminë qull
Duke bredhur betejave si një flamur
I një lufte të humbur me plotë skllevër
Që vejnë dikah me ëndrrat e liga
Si një udhëtim të moçëm të pa fund
Që me lotë nisi e s`u mbarua kurrë
12.2.2000
Ata po vonojnë

Ç`përvëluam kokë udhë motgjata
Grykën e gjërë ja qepëm trastës
Na rjepi për së gjalli plakëmadhja
Kokëbardhë i qelëm kokës lulevjeshta
Më afër harrimit gurin e afruam
Përshpejtuam rrjedhën e lumit të jetës
Tani kumti i ikjes po vonon harrimit
Udhëve të gjata me dhembje e pikëllim
Pas atyre shtatëdhjet e shtatë bjeshkëve
Pret votërshkreta e bërë blozë e hi
S`e mbaruam ende gujën e mërgimit
Digjet pritja avull ardhjes së vonimit
Bardhësit e ardhura presin padurimit
Liri e Kosovës dritë m`i bën këndimit
Zvicër, 22.2.2000.

Ditar i ditës

Nga dritarja e largësisë
Ikën ëndrrat e mëngjesit
Pa u çlodhur mirë amshimit
Para diellit e nisi udhëtimin malli
E u bë rrufe qielli të dallëndyshes
As lamtumir s`më dha as përqafim
Përtej shtatëdhjet e shtatë bjeshkëve
Aty ku ja thuan një këngë lirshëm
Kosova largë ëndrrave të mia gëzohet
E unë mjerani i largësive të humbura
Këtyre udhëve Evropës ja kruaj shpinën
Ndrydhi ditën kronikave bojë gjaku
Pa kujtuar se borëbardha po vjen
Me gropat e lumit të jetës mbi ballë
E me një trastë malli mbi shpinë
24.2.2000
Një shi për ty

Sonte më shumë se kurrë pata mall
Ylberet e sosur jan mbushur me zjarr
Vetëm shiun për vete po e ruaj
Le të shuajnë etjen udhët me plagë
Këtij qielli të mbushur me re e brengë
Unë eci eci dhe s`di kah vete o zot
Unë udhëtari ytë i humbur në këtë shi
Me ikjet që më ndjekin pas gjithnjë
Me largësitë që më verbojnë pa pra
Nga bukuria jote o engjëllusha ime
Tej meje i thura ëndrrat dhe këngët
Sot ti je dielli unë shtegtari i himbur
I harruar si Ago Ymeri kthyer pas luftës
Me ty në gji e pa ty këtu largë Kosovës.
29.2.`99.

WWW.METAFORAPOETIKE.DE.VU

Nuk ka komente:

Posto një koment