Gëzim Ajgeraj
MIGLIMA VARGJESH ME MALL
1.
Ç`trazim fjalësh
Kësaj nate vonë
Ndjenjë mëmëdheu
Milingona vargjesh
Më zgjojnë etjen
Ç`pikëllim mërgimi
Ra mbi letër
Digjet balli i vargut
2.
Në kopshtin e dhimbjeve
Çdo ditë bie shi
Me pika mëmëdheu
Janë lotët e mallit
Shkunden retë e udhëve
Mbi ylberet e largësive
Etja shuhet
Përmallimit
3.
Çdo ditë shaloj
Kuajt e mallit
E i përcjellë tek ti
Krelave të tyre
U lidh gërshetat e të falave
Mallëngjimin
E vesh si dhëndërr
Ylbereve të kthimeve
Sa larg më je ti
4.
Prapë po bie shi
Mbi lirikë
Nëpër mallin e vargut
Vërshojnë pikat e fjalëve
Tek struken strehës së përmallimit
Sa i pa fat o varg
Që u shkrove mallëngjimit
5.
Sonte ti përkëdhela muzgjet
Miglimave të errësirës
Mblodha kujtimet
E i përqafova me mall
Sa e zjarmishme erdhi mbrëmja
Në restorantin Helvetia
6.
Humbellave të udhëve
Aromë harrimi
Ç`largësi në mes
Vetëm ylberet e kujtimeve
Nisen plotë mall
Ëndrrave të sfilitura
Largësia frynë
Harrimit
7.
Nga vorbulla e ikjeve
Po derdhet kupa e mallit
Ylberet e ikjeve
Anojnë kthimeve
Shalojnë shpresat
Heu....
Udhës s`po i duket fundi.
Zvicër, 2008
29 dhjetor 2008
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment