Gëzim AJGERAJ
KRIMINELI
Ishte dita e dytë e sulmeve të ushtrisë së tij mbi katundet shqiptare në Vërri. Pikërisht asaj paraditeje po fillonte misioni i tij. Mbi një uniformë të zezë ushtarake, mbante të veshura një përparëse të bardhë që e mbante të lidhur për rreth qafe dhe shtrihej gjoksit të tij deri nën gjunjë. Ishte një përparëse që i gjasonte atyre të kasapëve që thernin kafshë nëpër mishtoret e tyre. Hë, hë, pikërisht një tillë e mbante ushtaraku i ushtrisë serbe , tek po ecte prapa një grupi paramilitarësh që po hynin nëpër shtëpitë e katundit të braktisur. Gjithçka përkonte me një luftë që zhvillohej diku kodrave mbi katunde, por ajo çka po ndodhte në katund ishte e tmerrshme. Pikërisht pas pushimit të krismave nga artileria serbe mbi katund, filloi krimi. Uniforma të përziera, të zeza e të gjelbërta në të mbyllët, po hynin shtëpi në shtëpi. Prapa u shkonte njeri me përparësen e bardhë deri nën gjunjë. Në duar mbante dy thika të gjata që afërsisht i gjasonin gjysmës së atyre thikave që bartnin samurajët japonez. Herë herë, fërshkëllima e tyre, kah i fërkonte njërën me tjetrën, shpërndahej trishtueshëm prapa shokëve të tij deri në brendinë e koridoreve të shtëpive të braktisura. Kjo u jepte kurajo ushtarëve që hynin shtëpi në shtëpi, për të kontrolluar nëse dikush kishte mbetur brenda tyre. Ti plak, ç'bën këtu?, përjashta, - u dëgjua nga brendia e një shtëpie të vjetër, zëri i ushtarit me të veshura të gjelbërta në të mbyllët, dhe me një pushke që e mbante gati për ta shkrepur. Një plak plisbardhë, i thyer në moshë, doli nga brendi i shtëpisë dhe u gjend përpara njeriut me dy thika në duar. Askush nuk i pa lëvizjet e njeriut me thika në duar, vetëm atëherë kur trupi i plakut u kërrus përpara derës së oborrit, njeriu me përparësen e bardhë, po i lëmonte njëra me tjetrën dy thikat e mbytura në gjak. Currilat e gjakut, nga trupi i shtrirë përpara pragut të shtëpisë, morën rrjedhën oborrit. Kështu do të ju therrim të gjithëve, kishte thirrur njeriu me përparësen e bardhë dhe me thikat në duar dhe kishin vazhduar shtëpi më shtëpi nëpër lagjet e katundit teposhtë. S'dua të ju tmerroj, nëse ju tregoj për secilin krim veç e veç, veç se krimi që kishte ndodhur në katund, kishte tmerruar njerëzit që i kishin mbledhur trupat e coptuar të shqiptarëve, nëpër votrat e tyre. Kullat ishin larë me gjak, nga dora e njeriut me përparësen e bardhë dhe me dy thikat në duar. Radha është e jotja plak, i kishte thënë babait dhe katërmbëdhjet pleqëve tjerë të zënë rob, në qendër të katundit. Luftoni me ata në male, jo me pleq e plaka, - kishte thënë plotë mllef, plaku plisbardhë. Vetëm një urdhër që i kishte ardhur atyre çasteve nga komandanti i njeriut me përparësen e bardhë dhe me thika të përgjakura; se gjendeshin brenda rrethit unazor të armikut dhe se këta pleq do të përdoren si mburoja, e kishte shpëtuar babain nga ajo dorë krimineli. Me terrin e zi të natës, krimineli dhe ushtarakët e tij kishin ikur veriut të zi, ndërsa kullat në katund ishin mbytur në plagë e gjak.
Malësi e Vërrinit, 1998
http://www.metaforapoetike.de.vu/
24 dhjetor 2008
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment