03 janar 2009

KULTURË LETRARE

Gëzim Ajgeraj

www.metaforapoetike.de.vu
www.gezimajgeraj.blog.com


ESE

VLERËSIMI,VLERËSUESIT E VLERËS DHE JO VLERËS

Vlerësimi kritik i një vepre, është shumë i rëndësishëm në letërsi, nga se këtu hapen apo mbyllen edhe portat e suksesit dhe mos suksesit të një krijuesi. Megjithatë kjo në letrat tona shpeshherë nuk i ka qëndruar kohës. Kanë qenë shumë faktorë të jo stabilitetit të zhvillimeve tek ne, të cilat kanë vënë në dyshim apo edhe kanë ngritur vlerën dhe jo vlerën. Por problemi që duam të trajtojmë, është krejtë diç tjetër.

Vlerësimi, vlerësuesit e vlerës dhe jo vlerës.

(Nga këndi kritikë i çështjes)

Vlerësimi i një vepre letrare tek ne nga kritikët dhe "Kritikët" letrarë, sot për sot është brenda një kaosi jo edhe aq të përshtatshëm me kohën. Dyshimi ynë në këtë çështje përkon me shumë faktorë që po zhvillohen tek ne. Është shumë e vërtetë se letrat tona, në këtë kohë janë zhvilluar me bollëk, siç është zhvilluar edhe ngritja arsimore tek ne. Në këtë rast, kritika tek ne nuk ka mundë edhe ti përballoj kësaj rrjedhe të prurjeve në letërsi, ndaj dhe nuk ka mundë ta mbuloj gjithë hapësirën e shkrimit dhe prurjeve në letrat tona. Janë hapur mundësi dhe rrugë të tjera, që të kemi vlerësime edhe vlerësues. Kësisoj në këtë grupim, ka hyrë dhe një pjesë e vetë krijuesve. Duke i vlerësuar apo mbi vlerësuar në vlera dhe jo vlera, veprat e të tjerëve. Në këtë kaos vlerësimesh apo nënvleftësimesh, gati çdo herë ka munguar dialektika e vetëvlerësimit, fillimisht të veprës së vetë, pa pasur të drejtë ta vleftësoj apo s’vleftësoj veprën e dikujt tjetër. Kësisoj përzihemi në punën e kritikës. Apo thënë më qartë, këtu na lindin kritikët dhe "kritikët". Përderisa shkrimi është çështje individuale i individit, pse krijuesit mundohen të jenë vlerësues të veprës së tjetrit. Pse i përzihen kritikës, nëse ajo egzistonë sot, diku tek ne. Shembuj për ta ilustruar këtë konstatim, sot në letrat tona kemi mjaftë. Kjo për faktin se letrarët tanë, tani më jetojnë dhe krijojnë në disa shtete në Ballkan dhe një pjesë e tyre, të emigruar nëpër shumë vende të botës. Dhe sherri fillon pikërisht këtu, nga se mungon një qendër e përbashkët dhe koordinuese që do ti drejtonte disa çështje. Na vijnë krijues të ndryshëm nëpër shtete a vende të ndryshme duke u paraqitur kryemisionar prijës të këtij apo atij grupi letrarësh, me vlerësime apo ç'vlerësime pa kurrfarë kriteri e kompetence. Të tillët kompetencat i marrin në djallëzinë e prirjes skizofrene për tu dalluar mbi të tjerët, me parimin; (duke i vlerësuar apo ç'vlerësuar krijimtarinë e këtij apo atij krijuesi), “vetë qëndron majave”. Kemi të tillë mjaftë sot në Tiranë, Prishtinë, Zvicër, Gjermani e gjetiu. Pikërisht këto vlerësime plotë djallëzi qofshin pozitive a negative, nuk qojnë askund, pos që tregon etjen për tu dukur mbi të tjerët dhe mendimin centralistë që ende e shoqëron njeriun tonë, i cili edhe sot e kësaj dite po i bartë pasojat e një shkolle të ish sistemeve dhe do ti bartin ato. Dihet se krijimtaria është çështje individuale dhe kujtojë se çdo krijuesi do ti bënte mirë të punonte shumë më shumë me krijimtarinë dhe veprën e vetë, le ti mbetet kritikës së mirëfilltë vlerësimi i veprave letrare. Ndryshe do ti kemi dy grupe kritikësh; Kritikët dhe "Kritikët". Le të mësohemi nga praktikat e letrarëve perëndimor, ku askush nuk qan kokën për krijimtarinë e tjetrit (për ta vlerësuar apo ç'vlerësuar). Në funde të fundit, kjo nuk është e drejtë e askujt, pos e lexuesit i cili e zgjedhë vetë veprën që do ta lexoi.
Shtrohet çështja, sikur rilindësit, të merreshin me vlerësimin apo ç'vleftësimin e veprës së njëri tjetrit, nuk do të ishin rilindës. Ata më tepër janë marrë me veprën e vetë, dhe vlerësimin më të mirë ia ka dhënë koha. Se sot kemi vlerësime, mbi vlerësime dhe ç`vlerësime, mjafton të hulumtojmë pakë mediave të shkruara dhe atyre elektronike, duke futur këtu edhe internetin. Shtrohet pyetja; a i plotësojmë ne kriteret e vlerësuesit. Nga cili këndë e vlerësojmë një vepër?. Sa kemi krijuar ne? Sa e njohim krijimtarinë e tjerëve?. A na shoqërojnë neve elemente negative dhe pozitive (smira, urrejtja, sinqeriteti, simpatia, dashuria, apo edhe interesa tjera) që na shtyjnë në vlerësimin pozitiv apo negativ të një vepre? Pse i vlerësojmë apo i ç'vleftësojmë vetëm të tjerët, kur përgjithësisht njeriut i mungon dialektika e vetëkritikës? Nëse sipas neve një vepër është vlerë a jo vlerë, çfarë do të thotë një tjetër më i përgatitur, për krijimtarinë tonë? A ka kush të na kontestoj neve? Sa jemi në gjendje ta përcjellim krijimtarinë e tjetrit? Mos po nxitohemi në konstatime? kur dihet se krijimtaria e letrarit me kohën gjithnjë e më tepër shpalosë vlera.
Do të vijmë te konstatime se, baza e vlerësimit i takon kritikës dhe ajo duhet të jetë profesionale dhe shumë e matur. Dhe pakë fjalë rreth fjalës vlerë dhe jo vlerë. Janë dy ekstreme që si të vetme nuk mundë ti qëndrojnë realitetit letrarë. Nëse sipas neve diç është vlerë apo jo vlerë, është shije dhe supozim individual, pamvarsishtë nga parimet tona. Tjetri do të mendojë ndryshe. Çka duam të themi? është shumë pa pjekuri nëse individualisht vlerësojmë apo e përdorim fjalën vlerë dhe jo vlerë dhe atë vlerësim e plasojmë në publik. Vlerën dhe jo vlerën e vlerëson kritika dhe koha sa do ti qëndrojë asaj. Ndërsa krijimtaria letrare do të ishte shumë e vështirë të ndahej në vlerë dhe jo vlerë, më e drejtë do të ishte një kategorizim i sajë, por nga një institucion i specializuar. Çdo tendencë individuale rreth vlerësimit të vlerës dhe jo vlerës, ngjallë dyshim, sot për sot tek ne!

Gëzim AJGERAJ, 15 janar 2005, Zvicër

Nuk ka komente:

Posto një koment