04 janar 2009

TREGIM: VITET IKIN SHPEJT

Gëzim AJGERAJ

www.metaforapoetike.de.vu
www.gezimajgeraj.blog.com

VITET IKËN SHPEJT

Në të dy krahët e asfaltit shpërndahej shushurima e gjetheve, që i kishte pushtuar një erë e lehtë vere. Asnjë zhurmë tjetër s'dëgjohej, pos zhurmave të herëpashershme që vinin nga brendia e qytetit i mbytur në vezullimin e dritave dhe në ankthin e luftës.
Shpati dhe Sharri vëzhgonin nga pozicionet lëvizjet e forcave armike, që mund të kalonin rrugës teposhtë drejt kufirit.
S'ka lëvizje, -tha Shpati derisa shikimin po e hidhte drejt hyrjes së qytetit.
As unë nuk shoh asgjë, - ia priti Sharri, tek po vështronte nga maja e një peme ku kishte hipur, qyteti dukej si mortje, megjithëse ishte edhe natë.
Erë lufte bie kudo,- vazhdoi Shpati, duke e ulur zërin, sikur dëshironte ta bënte me dije Sharrin për kujdes, sepse nata zërin e shpërndan larg dhe mund të hetohen nga forcat armike.
Për një çast ra një heshtje në pozicionin ku po vëzhgonin dy ushtarët e UÇK-së. Vetë shushurima e gjetheve s' pushonte dot, ndërsa puhiza e lehtë e erës e thente vapën e natës së gushtit.
Këtu lart bën më freskët,- tha Sharri.
Ndoshta do të ishte më mirë të zbrisësh poshtë, - tha Shpati,- mund të kalojë diç rrugës dhe nga aty ku je, do të gjendesh në pozitë jo të mirë.
Mirë thua,- tha Sharri dhe filloi të lëshohej lehtas teposhtë pemës.
Kur zbriti poshtë në tokë ofshau nadalë.
Qenkam lodhur,- tha, derisa po largote armën nga shpina.
Qëndrimi në pemë kërkon më shumë fuqi, është një mbingarkesë,- tha Shpati.
Po ti Shpat, ishe gjatë në mërgim? - pyeti Sharri.
Vitet ikën shpejt, dhjetë pranvera na ke munguar më thotë nëna. Po ti?- tha Shpati.
Një më pak, dhe u bë mirë që erdhi kjo ditë për t’iu kthyer Kosovës, se ndryshe do të na digjte malli si qiriun,- tha Sharri.
Vend i bukur ishte Zvicra, por me Kosovën tonë nuk ka, po ja që i ka rënë hasmi në qafë e nuk e lënë të ngritë kokën. Po ty si të është dukur Gjermania?
S'ka vend më të bukur se Kosova, prandaj edhe erdha t’ i dalë zot, - tha dhe me dorën e djathtë e shtrëngonte armën.
Dëgjohen zhurma makinash,- foli me zë të ulët Shpati, - i dëgjon ti?
Prapë ra një heshtje, ndërsa një shkrrap-shkrrape e armës, ia kujtoi dhe Sharrit, që plumbin ta vendoste në gjendje gatishmërie.
Janë zhurma kamionësh, - shtoi Sharri,- po vinjë teposhtë shiritit të asfaltit dhe e bëri gati armën.
Nuk do të shtiejmë të parët,sepse nuk kemi urdhër,vetëm nëse jemi të detyruar, do ta vëzhgojmë akoma situatën dhe lëvizjet, pastaj nëse parakalojnë këndej, mundohu t’ i numçrosh të gjitha makinat dhe pajisjet përcjellëse! - urdhëroi Shpati.
Lëvizja e makinerisë që vazhdonte të rridhte teposhtë rrugës, për një çast u ndal. Vetëm dritat e makinave që vezullonin përpara tyre, tregonin se ato ishin ndalur, ndërsa zhurma e tyre shpërndahej fushave të gjëra që shtriheshin përskaj rrugës.
Duket se janë ndaluar dhe po vëzhgojnë, - shtoi Shpati.

Po, po, -foli Sharri,- ata janë ndalur dhe duket se diç po vëzhgojnë, pastaj kanë dhe qenë me vete, e dëgjon lehjen e tyre, por të përqëndruar janë krahut tjetër të asfaltit.
Duhet të ketë ndodhur diç, lëvizjet nuk janë normale.Tani kujdes dhe vështro çdo lëvizje, -foli Shpati.
Kolona e makinave u drejtua në parkingun e një depoje me material ndërtimor, dhe aty filluan të parkohen. Nga kamionët dhe xhipat ushtarakë, filluan të zbresin uhtarë e policë të ushtrisë armike. Nga një makinë me ngjyrë të gjelbër në të mbylltë dolën disa eprorë dhe një njeri me rroba civile. Ndërsa nga një shtëpizë e vogël, që shërbente për rojet e depos, doli pronari i saj, që në ato çaste e njohu burrin me rroba civile.
Q'kërkoni këtu?- iu drejtua atij dhe i përmendi emrin.
Mbylle gojën dhe shporru!- thirri burri në rroba civile me një zë kërcënues.
Pronari i depos nuk guxoi të fliste më.Ai zuri të heshtë nga frika dhe hyri në makinën e tij me të cilën u zhduk asfaltit në drejtim të qytetit.
Ndërsa ushtarët dhe policët u shpërndanë misënikeve në anën tjetër të shiritit të asfaltit, dhe filluan marrjen e pozicioneve, me shpinë të kthyer nga rruga, prej nga pritnin që nga ana tjetër e fushës së qytetit të vinte dikush në pritë. Edhe njësiti i ushtarëve me qentë që i mbanin me nga një zinxhir përdore, hynë arave të mbushura me tallishte.
Por personi në rroba civile, së bashku me oficierët i prinin ekspeditës ushtarake, që po marshonte arave përtej rrugës.
Ata po marshojnë në anën tjetër të fushës, - tha Shpati,- nuk janë shenja të mira, ka ndodhur diç serioze me siguri. Vallë, a e identifikove personin në rroba civile?
Është natë, dhe nuk jam i sigurt, por për nga ajo makinë me targa civile, më duket shumë e njohur, ajo makinë kalon çdo ditë këtej.
Për mua edhe makina, por edhe personi janë të identifikuar. Ai është një bashkëpunëtor i okupatorit dhe rastin patjetër duhet lajmëruar në komandë, pastaj le të vendosë komanda për masat e mëtutjeshme.
E tani duhet të kthehemi në komandë, sepse edhe ata nuk do të kthehen më mbrapa, - vazhdoi Shpati,- e sheh se edhe makinat po largohen nga aty dhe po ikën drejt bazës së tyre.
Mendon se s'do të kthehen më? - përsëriti Sharri.
Shumë i sigurt! - pohoi Shpati,- duhet të ketë ndodhur diç në rrugën tjetër që shpie kah Drini, atje janë dëgjuar shumë krisma aty rreth mesit të natës, por ajo pjesë është jashtë përkufizimit të zonës së lirë, këtë ma pohoi njësiti pararojë kur më dorëzoi detyrën.
Me siguri, po ti e njeh mirë strategjinë ushtarake të armikut,- tha Sharri.
Jo edhe aq, por ja që lufta na detyroi të mësojmë edhe këtë art, mor Sharr, këtë armik s'e kemi të sodit, moti na ka rënë në qafë,- tha Shpati.
Tani mëngjesi po afrohej dhe ata duhej të lajmëroheshin në komandë. Lajmi që u shpërnda si një rrufe gjat atij mëngjesi nga komanda, ishte shumë i hidhur, në një pritë diku jashtë zonës së lirë, kishte rënë në krye të detyrës komandanti dhe ishin plagosur rëndë dy rojet e tij. Megjithatë, ata nuk u jepen dhe lufta vazhdonte.
15 gusht 1998,Prizren.

Nuk ka komente:

Posto një koment