30 janar 2009

Tregim: Dhembshuri

TREGIM

Gëzim Ajgeraj

http://www.metaforapoetike.de.vu/
http://www.gezimajgeraj.blog.com/


DHEMSHURI

Ora dhjetë e gjeti të zgjuar si zakonisht.
Ai mbrëmë kish bredhur me dhembj kujtimeve të tij, dhe kish ndier dhembshuri për shokët e rënë.
Gjatë atyre përsiatjeve, sytë i mbusheshin me lot.
Gati gjithë natën nuk kish mundur t'i myllte sytë dhe, mëngjesi e gjeti duke menduar për luftën, njerëzit e tij, Malësinë e Vërrinit.
Kafeja e mëngjesit i dukej pelim si dhe vetë nata që kish ikur.
Hamendja e bënte nevrik, sepse kohët e fundit ajo kish filluar ta mundote së tepërmi.
Rënia e shokëve i kish hapur një plagë të re në shpirt.
Pena që rrinte prej dy ditësh mbi fletore i dukej se po rridhte gjak, sikur e ftonte në dyluftim, aq më tepër dhembja e shpalosjes së kujtimeve shquhej me lot, parakalimi gjatë gjithë asaj nate ia ngacmonte lotin, që shpesh ia pushtonte faqet.
Le të çmallem, - tha një herë, sepse edhe burrat qajnë, thotë një urti, ndërsa thënja e mikut të penës diku në një varg; "ai që s'ka lot, as dashuri s'ka" i dukej tamam një varg i përjetuar.
Dhe, duke menduar thellë, zëri i zonjës nga prapa e ndërpreu nga kujtimet.
"T'u ftoh kafeja, i dashur".
Por përgjigja iu duk e tepërt, e lakmonte qetësinë dhe dëshironte t'u kthehej atyre kujtimeve të hershme kur bisedonte me shokët për atdheun e robëruar, për ekzilin, kthimin tinëz kufirit si Muri Kinez, dhe mendoi prapë, duke thënë se asnjëherë nuk i paskam kuptuar sa e dashkan Kosovën, ata djem trima...
Dhembja e pushtoi përsëri, duke pshertirë thellë me vete.
Zonja prapë e kish thirrur, por ai ishte thelluar dhe nuk mund ta këpuste dot nga ajo qetësi boshe mbase, herë-herë vulgare, duke kujtuar prapë dëshmorët e Vërrinit.
Dhe për një moment përshpëriti dy-tre fjalë, nuk ja vuri fort veshin, por sikur mori forcë, shfletoj albumin e kujtimeve, iu kujtuan demostratat në qytetin Prizren, ato në Hagë, Gjenevë, Bernë e Cyrih, thirrjet e shokëve, udhëtimet për në shtetin amë, dhe prapë ishte ndaluar, duke lëshuar një pshërtimë të thellë, sall dhembshuri, se mbase lufta ishte një çast tjetër, nuk qetësohej lehtë, as mund kush ta mallkojë.
Mallkoi këto udhë të mërgimit, o Shpend Vërrini, - tha me vete.
Kish kontaktuar me mërgatën dhe ata i kishin thënë se mirë do të ishte të udhëtonim për në atdhe, këtu s'ka pranverë sivjet, atje kanë nevojë për ndihmën tonë.
Duke kujtuar disa sekuenca të imëta, u mbështet në njërin brryl dhe e zuri një ankth i çudtshëm, saqë Vërrini i doli përpara në tym e flak.
Kish ndier mllef ndaj armikut, kish bërë disa vija mbi fletë, dhe, mbi të gjitha kish klithur: "Mallkuar" Por shpejt ishte zgjuar dh nga larg sikur i kish ardhur një zë: "Liria do gjak", ndërsa ai e kish shtërnguar penën, duke derdhur vargje me dhembshuri e mllef, iu bë se një dritëz e përhitur i hyri në sy, nuk shihte dot, përpara i dolën lulëkuqet e atdheut, varret e dëshmorëve.
U mallëngjye aq shumë, saqë kah mesdita doli në rrugë, por nuk kish ide nga të shkonte.
Kur u kthye në shtëpi duke mos çuar kokën tha vetëm një fjalë:" Unë po shkoj".
Dhe kur e pyetën: "Ku?", ai bëri vetëm një shenjë në ajër, diç si shkronja K. e madhe e asgjë më tepër...

Tetorë, 1998

Nuk ka komente:

Posto një koment